340 mln lekë për 185 fitues, gjysma në Tiranë, Margariti përgjigjet për transparencën dhe konfliktin e interesit: Si u ndanë projektet e kulturës

16 Shkurt 2022, 16:59| Përditesimi: 16 Shkurt 2022, 17:10

  • Share

Ministria e Kulturës, ndër 500 aplikime ka përzgjedhur 185 projekte fituese për këtë vit. Fondi i dedikuar prej 340 milionë lekësh, është më i madhi i 6 viteve të fundit. Por, përbri listës së fituesve, ku vetëm 38.9 përqind janë individë, e pjesa tjetër i takon Organizatave Jofitimprurëse, dhe nuk saktësohet se sa është buxheti që i dedikohet secilit projekt. Por a duhet t’i bëhen publikut transparente në faqet e webit të Ministrisë së Kulturës detajet e procesit të përzgjedhjes, përfshirë kolegjiumin që ka bërë vlerësimin?

“Procesi ka qenë më se transparent. Për sa kohë kemi pasur 500 aplikime, është një punë kolosale ajo e identifikimit të çdo elementi”  thotë ministrja Margariti.

Nga Ministria e Kulturës, ka udhëhequr vlerësimet e projekt propozimeve Drejtori i Projekteve Arjan Avrazi. Tirana kryeson me 89 projekte fituese, duke krijuar një hendek të konsiderueshëm me qytetet e tjera. Qarku i Gjirokastrës ka fituar 33 projekte e Shkodra, 28. Por, sa është kujdesur kolegjiumi i Ministrisë të shmangë konfliktin e interesit, pra ndarjen e projekteve edhe ndër punonjës të këtij institucioni a të afërm të tyre?

“Është shumë e vështirë që të ndash në Shqipërinë tonë të vogël pjesën e afërsisë, por patjetër që kolegjiumi është kujdesur që të mos përfitojnë projekte të afërmit e tyre”, shprehet më tej ministrja e Kulturës.

Ndarja mes OJF-ve dhe individëve, shtron dyshimin nëse i njëjti person mund të figurojë në më shumë se një projekt.

“Një individ nuk mund të shfaqet në disa projekte”, siguron Margariti, ndonëse ndër emrat fitues të këtij viti gjejmë ngjashmëri me ata që morën projekte në vitin 2021.

Projektet e digjitalizimit mbizotërojnë në listë fituese, duke u pasuar nga Trashëgimia Kulturore. Ndërsa Teatri zë vetëm 2,7 për qind.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?