3 vite nga tërmeti tragjik, rindërtimi ende në proces! Në Fushë-Krujë, Thumanë e Bubq familjet në shtëpitë e reja, në Krujë mbi 1100 ende me bonus qiraje

26 Nëntor 2022, 16:33| Përditesimi: 26 Nëntor 2022, 16:40

  • Share

Sot shënohen 3 vite nga tërmeti tragjik që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019. 51 persona humbën jetën, ndërsa mbetën të plagosur rreth 1 mijë qytetarë të tjerë. Shumë banorë në Durrës, Fushë-Krujë, Laç, Lezhë e Tiranë, mbetën pa strehë, ndërsa qeveria është ende në procesin e rindërtimit. Ishte ore 3.54 e 26 Nëntorit 2019 Kur Shqipëria u godit nga një tërmet shkatërrimtar me magnitudë 6.4 ballë.

“Edhe sot 3 vite më pas pasojat e trishta dhe dramatike tregojnë ndërprerjen  e shumë jetëve në mes, tregojnë jetën brenda atyre mureve, kujtimet e të cilave i morën me vete.”

Gani Kasa nga fshati Prush në Vaqarr ndan me ne episode nga tërmeti i 3 viteve më pare së bashku me 6 familjarët  e tjerë.

“Pati plotë dëme. Shtëpia ime ka  qenë e pabanueshme më pas. Për fat ishim në ballkon kur ndodhi. Nga kjo ngjarje frikësohet dhe i madhi jo vetëm fëmija. Por doli pa dëme të tjera . Jemi strehuar në banesa sociale. Nuk ka më mirë, kemi gjithë kushtet. Mora aq sa më takonte”, ka thënë ai.

Mbi 20 mijë banorë të njësisë 6 u prekën nga tërmeti në Kombinat, një pjesë janë sistemuar në banesat sociale e pjesa tjetër po trajtohen me bonus qiraje derisa të përfundojë rindërtimi i 40 pallateve, 9 qendrave sociale dhe kulturore e 4 shkollave e kopshteve.

Në Durrës 5 pallate kanë përfunduar dhe në pranverë të 2023 pritet të jenë gati edhe 996 apartamente në sitin e ri të ish-kënetës me 84 pallate të reja. Sa i përket rikonstruksionit, mësohet nga 615 godina me dëme vetëm 60 kanë mbetur të dëmtuar.

Më shpejt rindërtimi ka ecur në Fushë-Krujë, Thumanë e Bubq ku janë shpërndarë apartamentet e reja. Në gjithë bashkinë e Krujës, po trajtohen me bonus qiraje 1100 familje, kryesisht fshatra, pasi shtëpitë individuale janë ende në proces rindërtimi. Në Lezhë 198 familje kanë hyrë në shtëpitë e reja, ndërsa 207 familje kanë përfituar grantet dhe po rindërtojnë vetë shtëpitë e dëmtuara në fshatra.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?