Ergys Kolaveri

3 vite e 6 muaj në burg dhe mbi 3 vite në ‘arrest shtëpie’, shpallet i pafajshëm Ergys Kolaveri! I akuzuar për atentatin e dështuar me snajper në burgun e Vaqarrit

26 Tetor 2022, 17:18| Përditesimi: 26 Tetor 2022, 17:30

  • Share

Lirohet pas 3 viteve e gjysmë në qelinë e paraburgimit tek 313-a dhe pas 3 vitesh në masën ‘arrest shtëpie’, Ergys Kolaveri, më në fund është lënë i lirë nga drejtësia. Gjykata e Apelit e Tiranës i ka dhënë fund ‘odisesë’ gati 6-vjeçare të Kolaverit në dyert e gjykatave. Ai ka qenë i dyshuar për atentatin me snajper mbetur në tentativë në vitin 2016 ndaj hasmit të tij, Gazmir Daçi.

Ergys Kolaveri ishte i akuzuar për atentatin ndaj Gazmir Daçit, i cili në vitin 2015 i kishte ekzekutuar vëllain Valmir Kolaveri dhe i la të plagosur vëllain tjetër Rolandin, fqinj me njëri-tjetrin në Kamzë. Më 30 korrik të 2016-ës, Dacit i është bërë një atentat teksa ai ndodhej në burgun e Vaqarrit, kur sapo ka dalë për ajrosje. Atentati është bërë nga një kodër jashtë burgut dhe është qëlluar me snajper. Por plumbi nuk ka kapur Daçin, por një të dënuar nga Kosova.

Më 8 nëntor 2017, Ergys Kolaveri është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në atë kohë, me 20 vite burg, nga 30 që kërkoi prokuroria për atentatin e dështuar me snajper. Vendimi u apelua si nga prokuroria ashtu edhe nga Ergys Kolaveri që kërkoi pafajësi, dhe më 26 mars të vitit 2018, gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Tiranë vendosi "konstatimin e moskompetencës lëndore të Gjykatës për Krime të Rënda, dhe prishjen e vendimit të Shkallës së parë". Po ashtu, Apeli vendosi dërgimin e çështjet kundër Kolaverit, në Gjykatën e Tiranës.

Kundër këtij vendimi bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, prokurori i Krimeve të Rënda, i cili ka kërkuar prishjen e vendimit të Apelit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Kolegji penal i Gjykatës së Lartë pranoi kërkesën. Më pas Apeli i GJKKO në datë 23 dhjetor 2019 vendosi që nuk ka kompetencë. Çështja më në fund u kthye edhe një herë në gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm. Më 16 janar 2020, Apeli i Tiranës vendosi lënien në arrest shtëpie pas 3 vitesh e gjysmë në burg. 

Ndërsa sot Apeli i Gjykatës së Tiranës, e përbërë nga trupi gjykues me relatore Elona Toro dhe anëtarë Valdete Hoxha dhe Lutfije Celami, përfundimisht ka vendosur deklarimin e pafajshëm të Ergys Kolaverit dhe lirimin e menjëhershëm të tij, duke i dhënë fund gjithë kësaj historie të gjatë vendimesh dhe prishje të vendimeve.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Lista e Shqipërisë për Europianin, a jeni dakord me zgjedhjet e Sylvinhos?