3 fshatrat e Kukësit mbetën të bllokuar nga shembja e urës së Shtrezës për shkak të shirave, nisin punimet për rregullimin e saj, do zgjasin një javë

11 Prill 2022, 15:24| Përditesimi: 11 Prill 2022, 15:38

  • Share

Pas më shumë se një jave bllokim kanë filluar punimet për riparimin e urës së Shtrezës. Punimet po behën nga firma mirëmbajtëse e rrugës Kukës-Shishtavec, dhe kanë të bëjnë me riparimin e pjesëve të dëmtuara te dy shpateve anësore të urës, përforcimin e saj deri në çeljen e fondit të emergjencës për rehabilitimin e shpejtë të aksit të vjetër Shishtavec – Kollovoz, rindërtimin dhe funksionimin e plotë të urës së Shtrezës. Punimet pritet të zgjasin një javë për të bërë të mundur me pas lëvizjen e lirë të mjeteve.

Ditë më parë banorët e tre fshatrave Shishtavec, Novosej, Turaj, përmes një apeli iu drejtuan Bashkisë së Kukësit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Prefekturës së Qarkut që të merrnin masa për kthimin ne normalitet te situatës së krijuar nga bllokimi i urës.

Prej më se 10 ditësh banorët e fshatrave  Shishtavec, Turaj, Novosej gjenden të bllokuar për shkak të shembjes së urës së Shtrezës, nga reshjet e shiut të fillim muajit. Qindra banorë të tre fshatrave kanë hasur vështirësi të mëdha në lëvizjen drejt qytetit të Kukësit, për të plotësuar nevojat e tyre jetike në furnizimin me ushqime, ilaçe e marrje shërbimesh të ndryshme, si dhe zhvillimin e tregtisë.

Banorët detyroheshin të ecnin një pjesë rruge në këmbë të ngarkuar me ushqime e trasta të rënda në duar me rezervat disa javore, për të kaluar nga njëra anë e urës në anën tjetër.

Nga ana tjetër, rruga e vjetër që kalon në aksin lidhës të Kollovozit është jofunksionale, ndërkohë që rruga për nga Cërnaleva dhe Borja është krejtësisht e papërdorshme për automjetet. Ndërkaq rruga nga dogana nëpërmjet aksit Shishtavec – Krushevë – Dragash e pastaj doganës së Morinës, përveç vonesave të ndalesës në dy dogana, është dhe dyfish më e gjatë duke shumëfishuar kostot për automjetet.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?