3 ekonomistë amerikanë fitojnë çmimin Nobel në shkencat ekonomike për kërkimet mbi bankat dhe krizat financiare

10 Tetor 2022, 13:26| Përditesimi: 10 Tetor 2022, 15:40

  • Share

Çmimi Nobel i këtij viti në shkencat ekonomike “Sveriges Riksbank 2022”, i është dhënë ish-kryetarit të Rezervës Federale të SHBA-së, Ben S. Bernanke, dhe dy ekonomistëve me bazë në SHBA, Douglas W Diamond dhe Philip H Dybvig, “për kërkime mbi bankat dhe krizat financiare”. Çmimi u shpall të hënën nga anëtarët e panelit Nobel në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave në Stokholm, ky lajm u postua edhe në Twitter.

“Ata e morën çmimin për kërkime mbi bankat dhe krizat financiare”, tha Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.

Komiteti tha se puna e tyre kishte treguar në hulumtimin e tyre "përse shmangia e kolapsit të bankave është jetike". Çmimet Nobel mbartin një çmim prej 10 milionë korona suedeze (900 mijë dollarë) dhe do të shpërndahen më 10 dhjetor. Bernanke ka qenë president i Rezervës Federale nga viti 2006 deri në vitin 2014 dhe tani punon në Brookings Institute të Uashingtonit.

Ndryshe nga çmimet e tjera, çmimi i ekonomisë nuk u vendos në testamentin e Alfred Nobelit të vitit 1895, por nga banka qendrore suedeze në kujtim të tij, ku fituesi i parë u zgjodh në vitin 1969.

Vitin e kaluar, gjysma e çmimit shkoi për David Card për kërkimin e tij se si paga minimale, imigrimi dhe arsimi ndikojnë në tregun e punës. Gjysma tjetër u nda nga Joshua Angrist dhe Guido Imbens për propozimin se si të studiohen çështje që nuk përshtaten lehtësisht me metodat tradicionale shkencore.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?