Sociale

3 dimra në çadër në pritje të rindërtimit, familja nga Fushë-Kruja: Veç vdekja është më e rëndë

9 Tetor 2021, 16:02| Përditesimi: 9 Tetor 2021, 19:46

  • Share

Në këtë shtëpi që rrezikon t'i zërë brenda jeton prej afro tre vitesh familja e Islam Cakronit në fshatin Budull të Fushë-Krujës. Ndërtesa pësoi dëmtime të mëdha nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe u klasifikua e pabanueshme, ndërsa familja trajtohet me bonus qiraje nga bashkia e Krujës. Në oborr kanë ngritur një çadër, që shërben si kuzhinë, ndërsa natën e kalojnë në shtëpinë e rrënuar....

"Tërmeti më ka prishur shtëpinë, jemi 11 vete, 54 mijë lek të vjetra marr. Jemi 11 rob...nëqoftë se ka kush mundësi të më ndihmojë se shtëpinë e ka prish tërmeti se ka prish njeri. Energjinë se kam paguar do vijnë e presin edhe atë", thotë Islam Cakroni.

Jeta e ka përballur me shumë sfida burrin e moshuar, invalid, me 11 anëtarë në familje, djem vajza e nipër, ku pjesa më e madhe janë të papunë. Ai thotë se ushqehen me pensionin e invaliditetit dhe paratë e bonusit të qirasë.

Por shqetësimi më i madh për Islam dhe Rufie Cakonin janë 5 nipërit e vegjël. Ata shprehen se janë të detyruar ti dërgojnë të zhveshur në shkollën e Fushë-Krujës, ndërsa problem për ta mbetet transporti.

"4 fëmijë kemi në shkollë, i çojmë vetë se s'kemi fugon e kemi shkollën larg. Duan gjëra (fëmijët) me i ushqy e veshur ca të them unë ty tani... I çojmë zhveshur fëmijët në shkollë. Më kiamet s'ka veç vdekja se ska më tmerr", thotë Rufie Cakonin.

Sa i përket banesës, Report Tv u interesua pranë Bashkisë së Krujës. Burime nga ky institucion thanë është miratuar fondi prej 3.4 milionë lekësh dhe brenda nëntorit do t'i jepen familjes Cakroni për të rindërtuar shtëpinë e re.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?