3 Dhjetori, Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar

3 Dhjetor 2023, 12:30| Përditesimi: 3 Dhjetor 2023, 21:02

  • Share

Një shoqëri që përjashton personat me aftësi të kufizuar është shoqëri me aftësi të kufizuar!

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar është një nga datat më të spikatura në kalendar për të kujtuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes si një nga vetitë thelbësore të një shoqërie vërtet të zhvilluar, bazuar në respektimin e diversitetit, humanizmit, drejtësisë sociale dhe mundësive të barabarta për çdo qenie njerëzore, pavarësisht nga tiparet e tyre të veçanta të identitetit, duke përfshirë aftësin e ndryshme të kufizuar.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një bilion njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.

Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.

Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar (3 dhjetor), u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e shoqërisë dhe aspektet e zhvillimit – jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.

Ora 20:55
Dita e Personave me Aftësi të Kufizuar, Pampuri: Në buxhetin 2024 qeveria nuk do të parashikojë asnjë formë mbështetje

 

1699969491_oriolapampuri.jpgDeputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri në Ditën e Personave me Aftësi Ndryshe në një postim në rrjetet sociale tha se qeveria në buxhetin e vitit 2024 nuk ka parashikuar asnjë formë mbështetje për këtë kategori.

‘Në ditën ndërkombëtare për Personat me Aftësi Ndryshe, më shumë se 160 mijë qytetarë të cilët trajtohen me statusin e veçantë nga legjislacioni kombëtar, përballen sot me një neglizhencë të qeverisë për të siguruar një jetesë dinjitoze, shërbime publike afër nevojave të tyre dhe programe reale për integrimin ekonomik dhe social.

Në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm 2024, qeveria nuk do të parashikojë asnjë formë mbështetje, me shume nga sa ka dhënë për këtë vit. Nuk do të ketë asnjë rritje apo indeksim të masës së trajtimit financiar të tyre. Ndërkohë pagesa mesatare mujore e aftësisë ndryshe mbetet nën pragun e minimumit jetik të vlerësuar nga institucioni i Avokatit të Popullit prej 185 euro për frymë në vitin 2019, që dukshëm sot e tejkalon vlerën e 200 euro nëse do të reflektojmë vlerën mesatare të inflacionit për vitet 2020-2023.

Qytetarët me aftësi ndryshe, së bashku me pensionistët përbëjnë më shumë se ¾ e popullsisë që gjenden sot nën varfëri e cila sipas Bankës Botërore prek gati 40% të popullsisë kombëtare. Një shifër kjo rreth dy herë më e lartë se sa mesatarja e vendeve të rajonit dhe gati 7 herë më e lartë se ajo e vendeve të BE.

Shërbimet bazë si ai transportit, mobilitetit dhe infrastrukturës pedonale, aksesi në institucione publike, arsimore, të kulturës etj., në shumicën prej 61 bashkitë e vendit është thuajse inekzistent. Për më tepër dhe në ato raste ku kjo infrastrukturë në dukje është prezente, në fakt është ose e amortizuar ose jashtë kushteve tekniko-infrastrukturore për ta bërë të aksesueshme për këta persona.

Nga ana tjetër personat me AN janë plotësisht të paintegruar në punësim dhe ne mundësimin e një arsimi cilësor. Përtej propagandës së qeverisë, numri i personave me AN të punësuar nga viti në viti nëpërmjet programeve të nxitjes së tyre është në vlera dramatikisht të papërfillshme.

Prej 2019 Shqipëria ka një legjislacion, në dukje mjaft favorizues për punësimin e AN. Megjithatë pavarësisht ndryshimeve të ndodhura këtë vit, nëpërmjet të cilave do të kushtëzohej punësimi i rreth 8 mijë personave me AN në sipërmarrje private dhe institucione publike për shkak të kuotave “1 për çdo 25 punonjës” dhe në rast të mospunësimit, subjektet do të duhej të kontribuonin në buxhet vlerën e pagës minimale për çdo muaj mos punësimi të tyre, në fakt për këtë vit të ri buxhetor, qeveria ka parashikuar realizim prej 0 lekë për këtë zë të ri të ardhurash që mund të gjenerohen nga kjo politikë. Pra edhe pse në dukje miraton ligje për promovimin dhe nxitjen e integrimit në tregun e punës së personave me AN, në të vërtetë kjo mbetet thjeshtë për efekt të fasadës dhe propagandës, pasi qeveria nuk ka vullnet të përmbushë qoftë dhe angazhimet e veta publike.

Kjo është një neglizhencë e qartë dhe mjaft e dëmshme ndaj qindra e mijëra familjeve shqiptare, të cilat po i privon në praktikë nga ushtrimi  i të drejtave themelore të cilat janë të garantuara nga Kushtetuta.

Po ashtu, mos-integrimi ekonomiko-social i personave me AN ka një efekt negativ, pasi pengohet një kontribut domethënës që këta qytetarë potencialisht mund të ofrojnë në ekonominë e vendit, si vlerë kostoje oportune e cila mund të vlerësohet në disa dhjetëra miliona euro çdo vit. 

Së fundmi Partia Demokratike e Shqipërisë ka depozituar pranë Kuvendit një paketë amendamentesh të projekt-buxhetit 2024, ku përfshihet dhe rritja e pagesave të trajtimit financiar të kësaj kategorie sociale ne vështirësi në masën e një vlere reale nga ndikimi i inflacionit të çmimeve të produkteve të shportës.

Kjo rritje është plotësisht e realizueshme, nëse do të ketë vullnet të qartë politik duke pakësuar shpenzimet operative të qeverisë të cilat shkojnë vetëm për luks qeveritar dhe të ndalohen sa më parë kontratat korruptive të sektorit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siç është ai i sterilizimit – aktualisht nën hetim nga SPAK, në mënyrë që të paktën tu sigurohet 160 mijë qytetarë dhe familjeve të tyre një trajtim dinjitoz financiar.’- shkruan Pampuri.

Ora 14:56
Dita e Personave me Aftësi të Kufizuara, ministrja Koçiu: Mbështetje për 165 mijë persona me aftësi të kufizuara

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuar, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu thotë se janë rreth 165 mijë persona që mbështeten në vit nga programi i aftësisë së kufizuar.

“Hartimi i politikave në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj kësaj kategorie si dhe integrimi i tyre me të drejta të barabarta në tregun e punës, prioritet i qeverisë dhe MSHMS”, nënvizon ministrja Koçiu në një reagim në rrjetet sociale.

Në buxhetin e buxheti 2024 parashikohet mbështetja e personave me aftësi të kufizuar dhe kujdestarëve të tyre që do përfitojnë pagesa nga fondi prej 17.9 miliardë lekë.

3 dhjetori u shpall nga OKB dita ndërkombëtare për personat me aftësi ë kufizuar në vitin 1992, me qëllim promovimi i të drejtave dhe rritjen endërgjegjësimit për mbështetjen e kësaj kategorie.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni takimin e Ramës me shqiptarët në Athinë?