2.7 milionë adresa në Shqipëri të regjistruara sipas standardeve, kreu i Gjendjes Civile: Detyrë qytetare për t’i deklaruar, vlen edhe për shqiptarët jashtë

29 Mars, 16:52| Përditesimi: 29 Mars, 17:08

  • Share

Me gjithë problematikat e adresave në vendin tonë, sipas kreut të Gjendjes Civile, Vangjush Stavro, 2.7 milionë adresa janë të saktësuara sipas standardeve. Në "Sot Live në Shqipëri" në Report Tv Stavro ngre shqetësimin e adresave të paplota, të cilat nuk kanë të saktësuara të gjitha të dhënat.

“Kemi akoma fatkeqësisht adresa që janë vetëm me emër rruge që mund të jetë deri në 5 km ku nuk gjendet adresa, por kjo nuk është adresë. Numrat nuk janë zhgënjyes, janë goxha mirë. Ne po arrijmë gati në 2.7 milionë adresa të deklaruara sipas standardeve dhe referuar censit të 2011 jemi në thuajse 95% dhe më tej”, tha Stavro.

Qytetarët e kanë detyrim të deklarojnë adresën, si të përkohshme, ashtu edhe të përhershme. Nëse verifikohet se ajo nuk është e deklaruar saktë, Gjendja Civile merr masa.

“Mund të shkojmë deri në pezullim të përkohshëm të shërbimit dhe do të ndodh sepse edhe elementi i adresës është një nga elementët që kemi në Gjendjen Civile dhe duke mos pasur adresë të saktë është e pamundur ta identifikojmë siç duhet për të vijuar dhënien e shërbimit”, u shpreh kreu i Gjendjes Civile.

Një problematik që haset rëndom në vendin tonë është edhe vështirësia për të gjetur në terren adresat, për shkak të mungesës së tabelave dhe pasaktësisë së tyre.

“Plani tjetër që duam të zhvillojmë është të përditësojmë tabelat në terren që shtetasi kur kërkon të gjej informacion se në cilën rrugë ndodhet, cili është numri i kësaj ndërtese ta gjej sa më parë dhe ta shfrytëzojë”, tha më tej ai.

Detyrim për deklarimin e adresave e kanë dhe shqiptarët që jetojnë jashtë. Stavro tregon arsyet pse ata duhet ta deklarojnë në E-Albania.

“Për fat të keq numrat nuk janë të kënaqshëm. Ky shërbim ka prej dhjetorit 2020 që funksionon. Ja larg qoftë ndodh ndonjë luftë, të dimë të paktën sa shtetas kemi në atë vend që t’i tërheqim përmes ambasadave, por edhe për politikat e ndryshme që të ndërtohet dhe mblidhet komuniteti po përmes ambasadave”.

Sipas një projektligji të përgatitur, por që ende nuk ka kaluar në Kuvend, edhe shqiptarët jashtë vendit që nuk deklarojnë vendbanimet e tyre, 6 muaj pas hyrjes në fuqi, nuk do të mund të marrin shërbimet e Gjendjes Civile.

B.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 29/03/2024 23:28

    Ju nuk keni te sakta adresat e reja qe i keni ndryshuar po vete dhe u kerkoni qytetareve te deklarojne adresat! /Vangjushi/ mund te ndyshoje shtepi,por shtepia nuk iken me te,vetem emri i te zotit ndryshon dhe prape postieri nuk ka per t'a gjetur ate adrese ne ate katrahure qe keni gatuar.Dhe sa per emigrantet qe i kercenoni me mosdhenie sherbimesh,jepuni te drejten e votes me pare,ndryshe nuk keni as te drejte,as fytyre te ndermerrni nje veprim te tille si mosdhenia e sherbimeve,qe ne fakt eshte shkelje e te drejtave civile te qytetareve.Ju nuk do te donit te perfundonit per kete, para nje gjykate nderkombetare,apo jo?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, a respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?