25 vite nga djegia e shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit, drejtori: Tribunali i Hagës nuk i hetoi krimet e serbëve

27 Mars, 16:28| Përditesimi: 27 Mars, 16:35

  • Share

Kanë kaluar 25 vjet nga djegia e shtëpisë muze të Lidhjes së Prizrenit dhe askush deri më sot nuk është dënuar për aktin e qëllimshëm e makabër ndaj trashëgimisë historike të kombit shqiptar. 

Shtëpia muze në të cilën më 10 qershor të 1878-s u mblodh kuvendi që bashkoi katër Vilajetet e Shqipërisë, Shkodrën, Manastirin, Janinën dhe Kosovën u dogj nga policia dhe paramilitarët serb më 27 mars të vitit 1999, duke shatërruar edhe shtatoret e tre liderëve historikë të Lidhjes, Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit dhe Sylejman Vokshit, që kanë qenë të vendosura në oborrin e Kompleksit të LSHP-së.

Përgjegjësi i Kompleksit, Parim Kosova në korrik të vitit 2002, në Zyrën e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi në Prishtinë, bëri padinë për djegien e Lidhjes së Prizrenit, por që deri tani sipas tij nuk është marrë parasysh.

“Pas një hulumtimi 3-vjecar kam mbledhur fakte, argumente një video dhe dëshmi dhe i kemi dorëzuar në Tribunalin e Hagës, në zyrën e Prishtinës por Haga nuk e ka nisur hetimin. Dua te theksoj se profesori i Universitetit të Harvardit, Ridel Mayer, që është marrë me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore është ballafaquar me Millosheviçin në Hagë dhe i ka thënë se sulmet i keni bërë ju dhe më pas keni propaganduar sikur i ka bërë NATO”, tha ai.

Parim Kosova shprehet se kallëzimi penal është bërë ndaj 11 personave që dogjën dhe shkatërruan monumentin më të çmuar të shqiptarëve. Zyrës së Tribunalit të Hagës i është dorëzuar edhe një video kasetë në të cilën është incizuar largimi i gërmadhave të Muzeut me ekskavator, më 30 mars 1999.

“Kam bërë kallëzim penal ndaj 11 serbëve për djegien e muzeut por nuk ka nisur gjykimi, nuk e kanë marrë në konsideratë. Por tashmë shpresoj që shteti do të insistojë për të hapur këtë çështje. Ministria e Kulturës së Kosovës ka ngritur një komision hulumtues për dëmtimin e objekteve të kulturës, shpresoj që çështjes ti shkohet deri në fund”, u shpreh me tej. 

Pas Luftës në Kosovë është rindërtuar Lidhjes së Prizrenit, ndërsa muzeu është pasuruar me dokumente të riprodhuara.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?