25 prilli/Nis faza e dytë për identifikimin biometrik, Pelinku për Report Tv: S’ka kohë për votimin dhe numërimin elektronik

12 Shkurt 2021, 16:26| Përditesimi: 12 Shkurt 2021, 16:55

  • Share

Nënshkrimi i kontratës mes KQZ dhe kompanisë ‘Smartmatic’ dy ditë më parë për identifikimin biometrik të votuesve, shënon nisjen e fazës së dytë për implementimin e teknologjisë. Kompania ka nisur menjëherë punën, pas hedhjes së firmave, për të mundësuar në 70 ditë identifikimin biometrik të votuesve.

Megjithatë nënkomisionerja Lealba Pelinku thotë për Report Tv se ky proces nuk ndalon te 25 prilli.

 “Tashmë le ta konsiderojmë si një fazë të dytë dhe shumë të rëndësishme të realizuar identifikimin biometrik për votuesit. Ky është një proces i vazhdueshëm që ka gur kilometrik 25 prillin, por nuk është një proces që përfundon më 25 prill, pasi vijon më pas me verifikimin, kryqëzimin e të dhënave, që do të vijnë nga pajisja në qendër dhe momentin përfundimtar për auditin e teknologjisë së përdorur për të arritur në përfundimin nëse kjo teknologji do të përdorët në zgjedhjet e ardhme”, tha Pelinku.

Ndonëse e konsideron një garanci të shtuar për zgjedhjet e 25 prillit, Pelinku thotë se identifikimi biometrik nuk është i vetmi intrument frenues për parregullsi në zgjedhje.

“Mundësia që zgjedhësit të identifikohen në mënyrë biometrike është një instrument frenues për instrumentet e jashtëligjshme që kemi parë. Jo cdo instrument i jashtëligjshëm që i paraprin ditës së zgjedhjeve, por përbën një garanci të shtuar e cila do të cojë në një hap para standardet e zgjedhjeve, por këtë do mund ta themi vetëm me 25 prill”, u shpreh ajo.

Por duket se identifikimi biometrik, do të jetë e vetmja sfidë që do të përmbushë KQZ për zgjedhjet e 25 prillit. Koha e pamjaftueshme po con drejt pamundësisë realizimin e projektit pilot të votimit dhe numërimit elektronik, por edhe votës së emigrantëve.

“Çfarë ishin sfida të KQZ së re, identifikimi, votimi e numërimi, por edhe vota e emigrantëve duke patur parasysh kohën e ngushtë në të cilën u konstituua KQZ, problemi mbetet i njëjtë për të gjitha këto sfida, koha e pamjaftueshme, por cdo ditë që ikën e con në kufinnjtë e pamundësisë realizimin e projektit pilot dhe votën e emigrantëve. Duke mos patur dakordësi nga palët politike, do të jetë KQZ ajo që do të vendosë për implementimin e projektit pilot të votimit dhe numërimit elektronik”, tha Pelinku.

Teksa zgjedhjet e 25 prillit duket se do të jenë të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, Pelinku thotë se KQZ po ndërmerr hapa për të mundësuar votime në përputhje me rregullat e pandemisë. Por ajo shpreson që situata në vend të mos përkeqësohet, aq sa të kufizojë të drejtën për të votuar të shumë qytetarëve. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?