247-vjetori i pavarësisë së SHBA-së, Kim: Populli amerikan dhe ai shqiptar janë të ngjashëm! Mos u dorëzoni kurrë për një të ardhme të drejtë

22 Qershor 2023, 20:00| Përditesimi: 22 Qershor 2023, 23:01

  • Share

Mbrëmjen e sotme është organizuar një festë nga ambasada amerikane në Tiranë ku kanë qenë të pranishmë personalitete të vendit tonë si dhe politikanë të kaheve të ndryshme në kuadër të 247 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Duke thënë se ky mund të jetë fjalimi i saj i fundit në Shqipëri, Kim tha se populli shqiptar dhe ai amerikan janë shumë të ngjashëm në një sërë mënyrash. Ajo u shpreh e bindur se populli shqiptar do të vijojë në rrugën e zgjedhur duke mbrojtur jo vetëm demokracinë e vendit të tij por edhe të vendeve të tjera ashtu si SHBA.

Fjalimi i plotë i Yuri Kim:

Zoti President, ju falënderoj shumë për fjalët tuaja dashamirëse në emër të popullit shqiptar.

Zonja Kryetare e Kuvendit, shkëlqesi, të ftuar të nderuar, miq - faleminderit që na u bashkuat në festimin e 247-të vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Në themelimin tonë, amerikanët shpallën përmes Kushtetutës sonë se “Ne, Populli” dhe askush tjetër – asnjë mbret, asnjë gjeneral, asnjë sundimtar - askush përveç “Ne, Popullit” nuk ka pushtetin dhe të drejtën të vendosë se kush jemi, se çfarë duam dhe se cili do të jetë fati ynë.

Mund t’ju ndërmendet se iu drejtova këtyre fjalëve të mirënjohura të Kushtetutës Amerikane vitin e kaluar. Po i përsëris ato sonte, sepse ideja pas “Ne, Populli” është më e rëndësishme se kurrë më parë për të dy vendet tona dhe, në të vërtetë, për botën mbarë.

“Ne, Populli” është një deklaratë për veprimin dhe zgjedhjen në një demokraci: Ne pohojmë se “Ne, Populli” jemi burimi i pushtetit dhe çka ne zgjedhim ka më shumë rëndësi.

Do të doja të përqendrohesha këtë mbrëmje tek zgjedhja, e cila për nga nevoja ka të bëjë me të ardhmen. Mund të debatojmë për të kaluarën, por nuk mund ta ndryshojmë atë. Ne mundet veçse të zgjedhim se çfarë do të ndodhë më tej.

Nga të gjitha veprimtaritë në të cilat kam qenë pjesë apo kam pare nga të gjithë njerëzit në të 61 bashkitë që kam vizituar, anekënd këtij vendi të bukur të cilët i kam takuar gjatë tre viteve e gjysmë të fundit, për mua është e qartë se populli i Shqipërisë e ka bërë zgjedhjen e tij: të jetë i lirë dhe demokratik, të jetë ndër ato kombe që do të mbrojë lirinë dhe demokracinë e të tjerëve, për t’u siguruar që Shqipëria të mos fshihet kurrë nga kjo botë. Kështu, ju jeni si ne. Mendoj se këtë duhet ta ketë ndjerë Sekretari Baker kur tha nga sheshi Skënderbej në vitin 1991: “Ju jeni me ne dhe ne jemi me ju!”.

Ashtu si amerikanët deklaruan zgjedhjen tonë në vitin 1776, shqiptarët deklaruan zgjedhjen e tyre në vitin 1991.

Amerikanët zgjodhën më 4 korrik 1776, të jenë të lirë; të besojnë se qytetarët janë burimi, jo subjekt i pushtetit të qeverisë; të angazhohen për të zgjedhur të ardhmen tonë çdo ditë për ta bërë bashkimin tonë më të përsosur; të pranojnë se jemi qenie njerëzore që herë pas here do bëjmë gabime, por që besojmë se për shkak se jemi amerikanë do të ngrihemi dhe do të provojmë sërish, dhe do të zgjedhim më mirë.

Tridhjetë e dy vjet më parë, shqiptarët, ju – si ne – zgjodhët të jeni të lirë; ju – si ne –  vendosët që qytetarët janë burimi, jo subjekti, i pushtetit të qeverisë; ju – si ne – e dini se demokracia kërkon përkushtim dhe qëndrueshmëri; ju – si ne – dëshironi që fëmijët tuaj të jetojnë në një botë ku kanë një shans të barabartë për të ndjekur lumturinë; ju – si ne – jeni të gatshëm të bëni punën e vështirë për ta bërë të ardhmen më të mirë se e shkuara.

Nëse kam mësuar diçka nga koha ime në Shqipëri është se ne – amerikanë dhe shqiptarë – jemi njësoj në shumë mënyra, përfshirë në mënyrat më të rëndësishme. Shpresoj që populli amerikan dhe populli shqiptar – Ne, Populli – ta ruajmë gjithmonë këtë afri. Dhe shpresoj që të gjithë do të shohin se ne – si ju – nuk do të dorëzohemi kurrë në kërkesën tonë për një të ardhme më të drejtë, më të fortë dhe më të begatë për të gjithë ne.

Dhe kjo mund të jetë mundësia ime e fundit për të parë disa prej jush ballë për ballë, dhe unë do të doja të shfrytëzoj rastin për t'ju shprehur mirënjohjen time më të thellë për të gjithë ju për atë çka keni bërë. Jam mirënjohëse të di se secili prej jush po jep një kontribut të jashtëzakonshëm për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për vendin tuaj. Unë mendoj se me çdo person këtu kam pasur një mosmarrëveshje apo një tjetër, me disa prej jush më shumë se me të tjerë, por unë ende besoj - ashtu si siç besoja që në fillim - është se ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan. Pra, faleminderit që jeni këtu sonte për të na u bashkuar në festë dhe ju falënderojmë për miqësinë dhe këshillat tuaja. Dhe do të shihemi në Uashington.

Ora 21:34
Begaj i pranishëm në festën për 247 vjetorin e pavarësisë së SHBA-ve: Angazhimi amerikan për integrimin e Shqipërisë mbetet vendimtar

 

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada amerikane në Tiranë, me rastin e 247 vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për kontributin historik të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të kombit shqiptar.

“Angazhimi amerikan për integrimin euro - atlantik të Shqipërisë dhe forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë  mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit tonë. Ky angazhim na detyron të jemi në lartësinë e investimit dhe të pritshmërive dhe ne jemi të kthjellët për rrugën që na duhet akoma të bëjmë në këtë drejtim,” – tha ndër të tjera Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit shprehu dhe njëherë gatishmërinë për përforcim e mëtejshëm dhe intensifikim e marrëdhënieve mes dy vendeve në të gjitha fushat e posaçërisht ato ekonomike, si dhe në përballjen e sfidave që janë sa kombëtare e rajonale po aq dhe globale.

“Më lejoni të nënvizoj se ne e njohim rolin vendimtar që Shtetet e Bashkuara kanë për paqen në Ballkan e veçanërisht për Kosovën e lirë, të pavarur e të njohur botërisht. Ne e vlerësojmë, dhe nuk harrojmë. Në këtë kuptim ne i jemi pranë Shteteve të Bashkuara si partneri ynë strategjik, por dhe me vullnetin e përkushtimin për prosperitetin e të dy popujve tanë,” – tha më tej Presidenti Begaj.

Në fund të fjalës së tij, Presidenti rezervoi një falënderim të posaçëm ndaj Ambasadores Yuri Kim, që po mbaron misionin e saj diplomatik në Shqipëri, për kontributin e çmuar në vendin tonë dhe miqësinë që ka treguar ndaj Shqipërisë. 

“Ju uroj shumë sukses në detyrën e rëndësishme që ju pret. Ju besoj e dini tashmë, por më lejoni t’ju rikujtoj se ne shqiptarët themi: Shtëpia është e Zotit dhe mikut! Uroj të gjeni kohë dhe pas përfundimit të misionit në Shqipëri, të kujtoni natyrën, miqtë e pse jo dhe politikën e institucionet tona, por mbi të gjitha të vini në shtëpinë tuaj.” - mbylli fjalën e tij Presidenti.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?