2.1 mld euro kostoja për buxhetin, ekspertët: Skema e pensioneve çalon nga vitet e punës, kontributet e mosha e pensionit

22 Mars, 20:30| Përditesimi: 22 Mars, 21:17

  • Share

 

Reforma e pensioneve që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, parashikon rritje graduale e moshës me dy muaj për çdo vit dhe të vjetërsisë në punë, faktorë që lidhen direkt me masën e pensionit. Aktualisht që një grua të dalë në pension këtë vit i duhet të jetë 61 vjeç e 8 muaj, dhe duhet të ketë 38 vite punë, po kaq vjetërsi duhet të kenë edhe burrat të cilët moshën e pensionit e mbushin 65 vjeç.

“Zgjatja e moshës së daljes në pension e vështirëson periudhën pas pensionit por pakëson mundësit për punësimin e të rinjve”, tha Preçi.

Sipas kuadrit ligjor, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, e barabartë me pensionin social, i cili shumëzohet me vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Pra, qartësisht kontributi dhe puna ndër vite, janë kyç për të përfituar pension dhe për vlerën që do të ketë ai.

“Skema ka çaluar tek injorimi i peshës që ka kontributi për tu mbajtur në konsideratë kur del në pension, por edhe zgjatja e viteve të punës ka rritur numrin e atyre që dalin në pension dhe të marrin masën e plotë. Duhet të ishte ai që kontribuon më shumë të marrë më shumë pension, kjo skemë e ka sheshuar”, thotë Preçi.

Për shkak se që kur ka nisur zbatimi i kësaj reforme, ajo ka rezultuar me deficit, pra kontributet nuk mbulonin të gjitha pensionet, shteti është detyruar ta financojë atë vit pas viti, për të mbuluar boshllëkun e krijuar.

Sipas hulumtimit të dokumenteve nga Report TV, rezulton se që prej 2015-ës kur hyri në fuqi kjo skemë e deri në fund të vitit 2023, buxhet i shtetit ka harxhuar 2.1 miliardë euro për të financuar sistemin e pensioneve.

Nëse kontributet do të ishin të mjaftueshme për të mbuluar pensionet në vend, praktikisht këto para ose do ishin përdorur për ti rritur më shumë pensionet, dhe jo thjeshtë për ti indeksuar me inflacionin mesatar siç ndodh çdo vit, ose mund të ishin përdorur për të nxjerrë nga varfëria me dhjetëra familje me ndihmë ekonomike, me përkrahje sociale apo me paaftësi për punë.

Ndërsa Ministria e Financave, thotë se edhe pse në deficit situata është përmirësuar vit pa viti.

“Të ardhurat kontributeve të drejtpërdrejta ndër vite kanë patur rritje dhe nga 59 miliardë ose 4.1% e PBB në vitin 2015 kanë arritur në 124.6 miliardë ose 5.7 % e PBB në vitin 2023. Të ardhurat kontributive totale nga 64.8 miliardë në vitin 2015 kanë arritur në 134 miliardë në vitin 2023 ose më shumë se dyfish në më pak se 10 vjet. Kjo rritje e të ardhurave kontributive ka ndikuar në qëndrueshmërinë financiare të skemës duke ulur transfertën e buxhetit të shtetit në drejtim të skemës së pensioneve dhe ulur deficitin e pensioneve. Më konkretisht, deficiti i skemës së pensioneve është ulur nga 27.6 miliardë lekë në vitin 2015 në 17 miliardë lekë në vitin 2023 ose nga 1.93% e PBB në rreth 0.8 % e PBB”, thotë Ministria e Financave.

E thënë e gjitha kjo, duke pasur parasysh shifrat e frikshme ku veçohet fakti se 158 mijë qytetarë janë prekur nga nën deklarimi i pagave prej vitit 2021, ndërkohë që 600 mijë qytetarë rrezikojnë të mbeten pa pension, duhet të lexohen si kambanë alarmi nga institucionet.

Shteti duhet të ndërhyjë për të rregulluar tregun, konkurrencën e ndershme dhe për të garantuar të ardhmen e ekonomisë dhe të pensionistëve shqiptarë, të rrezikuar seriozisht nga gremina financiare që sa vjen edhe thellohet.

PENSIONET E REJA QË PO DALIN

Viti 2017 Pensionet e reja të pleqërisë      14,443 lekë mesatarja

Viti 2018 Pensionet e reja të pleqërisë      14,449 lekë mesatarja

Viti 2019 Pensionet e reja të pleqërisë      14,841 lekë mesatarja

Viti 2020 Pensionet e reja të pleqërisë      15,024 lekë mesatarja

Viti 2021 Pensionet e reja të pleqërisë      14,643 lekë mesatarja

Viti 2022 Pensionet e reja të pleqërisë      15,115 lekë mesatarja

Janar-Qershor 2023 Pensionet e reja         15,304 lekë mesatarja

SUBVENCION PËR MBULIMIN E DIFERENCËS

Viti 2015           25,705 mld lekë

Viti 2016           28,398 mld lekë

Viti 2017           25,936 mld lekë

Viti 2018           23,317 mld lekë

Viti 2019          23,979 mld lekë

Viti 2020          27,648 mld lekë

Viti 2021          28,023 mld lekë

Viti 2022          22,990 mld lekë

Viti 2023              18.4 mld lekë

Totali             224,396 mld lekë


Lajmi kryesor:

INVESTIGIMI 2/ Nëndeklarimi i pagave rrezikon të ardhmen, pensione çdo vit e më të ulta! Ekspertët: Duhet reformë e re pensionesh


M.Q.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?