21 janari, Gjykata e Lartë vendos më 27 shkurt nëse dosja do i kalojë SPAK

21 Janar, 10:53| Përditesimi: 21 Janar, 15:10

  • Share

TIRANË- Më 27 shkurt, Gjykata e Lartë do të vendosë përfundimisht se kujt i takon të hetojë dosjen e 21 janarit, SPAK apo prokurorisë së Tiranës. Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, i cili mbeti i vrarë nga plumbat e shtetit në protestën e 21 janarit 2011.

Familjarët kërkojnë që dosjen ta hetojë Prokuroria e Posaçme. 

Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.

Këtë ditë vendimtare e komentoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili sot gjatë ceremonisë përkujtimore organizuar në kryeministri u shpreh optimist se Gjykata e Lartë do të marrë një vendim të drejtë.

"Mbetet veçse të shpresojmë që Gjykata e Lartë do vendosë me drejtësi me 27 shkurt dhe do të lëvizë barrën e rëndë të 21 janarin nga kurrizi pa shtyllë i prokurorisë së Tiranës në duart e SPAK për të hetuar ç'ka krejt është shkruar qartë në vendimin e asaj gjykate, asgjë më shumë, asgjë më pak", tha Rama. 

Kërkesa e familjes Nika ka përfunduar në Gjykatën e Lartë pasi GJKKO dhe Apeli i GJKKO e rrëzuan. Familjarët e protestuesit të vrarë kërkojnë që Gjykata e Lartë të prishë dy vendimet e marra nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit dhe të urdhërojë Prokurorin e Posaçme të regjistrojë procedimin penal. Sipas argumentit të tyre në faqen 3 të rekursit, të akuzuarit për të krim janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha, ish Kryministër dhe ish Ministër i Brendshëm, të cilët janë subjekte që duhet të hetohen nga SPAK bashkë me Andrea Prendin, ish-komandant i Gardës së Republikës.

Në rekursin e bashkëshortes së Aleks Nikës, thuhet se prokuroria e Tiranës e ka mbajtur hetimin për 21 janarin për dy vjet e 6 muaj pa bërë asnjë veprim për zbardhjen e ngjarjes. Prokuroria e Posaçme ka shpallur moskompentencë, jo vetëm për padinë e familjarëve të depozituar më 16 shkurt të këtij viti, por edhe atë të bërë nga Ministria e Drejtësisë dhe Partia Socialiste.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?