20 gusht 1998, opozita: Fatos
Nano është kabila shqipta

2 Gusht 2016, 14:59| Përditesimi:

  • Share
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Romë ndodhet në rrugën Asmara, 5. Diplomatët i kanë apartamentet e tyre në shëtitoren Eritrea, në një pallat dhjetë katësh. Për të shkuar në selinë e tyre të punës ata duhet të ecin rreth njëqind metra nëpër trotuarin e shëtitores dhe pastaj të kthehen menjëherë majtas.
Pikërisht tek ky bërryl nis rruga Asmara.

E gdhendur në një pllakë të mermertë në anërrugë kjo fjalë i ka dimensionet gjithsesi të vogla. Sigurisht më pak të dallueshme natën.

Fillimin e udhës Asmara e përcaktojnë saktësisht dhe më mirë germat e mëdha e të kuqe të klubit MacDonald's. Kur bie nata, të ndezura, me dimensione njëmetërshe, ato si të jenë përfshirë nga flakët, dallohen gjer larg. Mjafton t'i afrohesh sadopak shëtitores Eritrea nga të tre rrugët që zbresin me nxitim drejt saj.
Që prej MacDonald's e deri tek Ambasada mjaftojnë vetëm dhjetë minuta ecje me këmbë.

Për këtu ambasadori vjen me makinën e zezë Benz. 
Diplomatët e tjerë përbëjnë një numër të kursyer njerëzish. Ata dalin një nga një prej portës së madhe të hyrjes numër 34 dhe u mëshojnë këmbëve drejt selisë së tyre. Ndonjëri edhe me nge.
Secili prej tyre ecën sipas mënyrës së tij.

Diplomati i parë del vrulltas dhe e para gjë që bën është ndezja e një cigareje. Në ato pak çaste i ndal këmbët mbi trotuar dhe vetëm kur duhani nxjerr shtjellën e parë të tymit, ato i bëjnë përpara. Duket sikur i shtyn pikërisht ajo fjollë, si të jetë shfrim i dalë heshturazi nga oxhaku i një lokomotive.

Diplomati i Dytë sapo del nga porta e madhe rrudh vetullat dhe picërron sytë. Të lë përherë përshtypjen se e para gjë që bën tek pragu i dhjetëkatëshit është ambientimi me temperaturën e ajrit, zhurmën e rrugës dhe intensitetin e dritës. Pastaj orienton vështrimin drejt MacDonald's dhe niset nguturazi.

Diplomati tjetër, ose siç e thërresin miqësisht Poeti, e tërheq portën e madhe e të drunjtë të pallatit ndër të fundit. Pastaj lëshon çapin në trotuar e nga shpejtësia me të cilën kryen lëvizjen e parë jashtë ngrehinës dhjetëkatëshe, më shumë ngjan me një njeri që sapo ka parashutuar nga maja e godinës. Është i vetmi diplomat që mbart me vete një çantë pune të zezë. Me këtë ngarkesë të veçantë shtrënguar në dorë, në fraksion të sekondës trupin e kthen drejt fundit të shëtitores, atje ku nis Asmara. Gjithçka tjetër më pas është vetëm ecje që më shumë i ngjan vrapimit të një trupi të stërvitur.

Diplomati i Tretë më shpesh, pa pritur të zbresë ambasadori, nuk bën asnjë çap rrugë as në Eritrea dhe as në Asmara  Ai zakonisht udhëton bashkë me të, kështu që i duhet ta presë tek makina. I duhet ta durojë pritjen tek dera e makinës Benz edhe kur bën vapë e po ashtu kur të akullon të ftohtit. Ai ka një trup të pjerrët dhe çalon lehtas. Duke qenë se binte në sy, kolegët në fillim kishin zgjedhur për të nofkën "I pjerrëti", por më pas disave u kishte pëlqyer edhe epiteti "Topalli".

Ata që ngulëkëmbnin për variantin e parë arsyetonin se e vetmja cilësi negative e Diplomatit të Tretë ishte servilizmi për shefat, ata që përdornin nofkën e dytë ishin të bindur se shoku i tyre i punës ishte edhe arrogant. Në të vërtetë edhe më i vëmendshmi nuk kishte arritur dot t'ia dallonte këtë ves të fundit, por mes thirrësve të fjalës "Topalli" akuzat shkonin edhe më tej.

Sipas njërit prej tyre, Diplomati i Tretë vinte prej një tradite familjare kameleonizmi politik. Gjyshi i tij ishte lidhur fort me regjimin e Ahmet Zogut, porse një xhaxha kishte qenë mes grupit entuziast që në prill 1939 në qytetin e tyre kishte pritur trupat pushtuese italiane. I ati në fund të luftës ishte lidhur me rezistencën komuniste dhe përgjatë gjithë regjimit kishte arritur të bëhej emër në zë i diktaturës, çka edhe djalit të tij i kishte dhuruar vendin e figurës së dytë në ambasadën e Romës.

Fillimi i pluralizmit dhe më pas ndryshimet në qeverisje, me ardhjen në pushtet të antikomunistëve, e kishin shtrënguar Diplomatin e Tretë të heshtte për të atin dhe të mbante në portofol si gjë të shtrenjtë fotografinë e xhaxhit të dënuar nga regjimi bolshevik i Tiranës. Kështu kishte mundur që pas një rikthimi kohëshkurtër në Ministrinë e Jashtme, të ridërgohej në Romë, edhe pse kësaj radhe me një gradë diplomatike më të ulët.  
 
Syri i Qelqtë
Përveç të Pjerrëtit apo Topallit, ose më mirë Topallit të Pjerrët, çdo mëngjes del në trotuarin e Viale Eritrea edhe diplomati, nofkën e të cilit, midis nesh, po e quajmë Syri i Qelqtë. Ai është elegant, mban syze që duhet të ishin të paktën minus dy dhe jo rrallë pëlqen një kostum që vishet me një jelek të brendshëm e të prerë prej të njëjtit stof.

Ai nuk dihet kur hipën në ashensor dhe kur zbret prej tij e shfaqet jashtë portës së hyrjes. Disa thonë se del më parë nga të gjithë, madje shumë herët, të tjerë ngulin këmbë se ikën nga apartamenti i tij i fundit.
Megjithatë ai gjendet më parë nga të gjithë në ambasadë.                
 
Nano do të vizitojë Romën
Kishte kapërcyer 20 gushti kur ambasadori i sapoulur në krye të tavolinës së gjatë të zyrës së tij lëshoi tufën e fjalëve "duhet të mendojmë për të përgatitur një vizitë të kryeministrit në Romë".

Në të vërtetë kishin qenë jo ai, por dy diplomatë të misionit, ai i shtypit dhe kolegu i ekonomisë, që disa javë më parë patën propozuar një vizitë në Itali të kryeministrit Fatos Nano. Ata kishin pasur plot arsye për ta thënë këtë ide të tyre, por që sipas rregullit të rreptë mund të merrte jetë vetëm nëse projekti kapërcente njeriun në krye të asaj tavoline me syprinën që shkëlqente nga llaku.

Po të ishte gati Ambasadori propozimi futej në disa radhë letër dhe i nisej Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pasi kryente aty ritin e ngritjes deri tek ministri, sërish projekti vijonte ngjitjen nëpër piramidën e shtetit. Deri sa mbërrinte tek vetë Kryeministri.
Kur Ambasadori shqiptoi fjalët "duhet të mendojmë..." ky cikël duket se qe mbyllur.

Diplomatët përreth tavolinës në formë “T”-je ranë në heshtje dhe shefi i tyre për të vazhduar gjer në fund kënaqësinë e lajmit të jashtëzakonshëm përsëriti tingëllueshëm "pra, të nisim përgatitjen e vizitës së zotit Fatos Nano".
    
Fabricio Maria Korteze
Ardhja e tij krijoi në ambasadë zhurmë. Sidoqoftë ai nuk bërtiti, sigurisht as edhe u grind. As i ra fort e gjatë ziles në portën e hyrjes. As e lëshoi zërin mbi grilën e çitofonit. As përplasi këmbët kur ngjiti shkallët e hyrjes së godinës. As i mëshoi shuajt e këpucëve mbi shkallët e drunjta që shkonin drejt katit të dytë dhe ku kishte zyrat pjesa më e rëndësishme e personelit e dera më e afërt për atë që ngjitej ishte ajo e ambasadorit.

Madje i porsaardhuri as edhe qeshi me mënyrën e tij të veçantë, të cilën gjë e kishte bërë në telefon dy ditë më parë, kur pati shprehur dëshirën të takonte ndonjë nga personeli i ambasadës e t'i shpjegonte se po punonte për një film me temë Shqipërinë.    

Nuk kishte bërë zhurmë as edhe makina e tij “Reno 25”, me ngjyrë gri të metaltë e injeksion elektronik. Buzë ambasadës kryqëzohej një nga rrugët më të ngarkuara me lëvizje automjetesh të Romës e kështu mbërritja e një Reno-je katërvendëshe as që e kapte dot edhe veshi më i ndjeshëm. Ca më tepër që makinën ai e parkoi në trotuarin matanë rrugës, atje ku edhe të ulërije vështirë të të dëgjonte njeri për shkak se gjithçka e shurdhonte lumi vërshues i veturave.
Në telefon kishte shqiptuar emrin e tij. Ai tingëllonte si prej një familjeje të vjetër fisnike: Fabricio Maria Korteze.

Italiani ishte fare e ri në moshë e mbase donte edhe disa vite t'i avitej të tridhjetave. E priti Poeti dhe së bashku biseduan përmbi një orë në sallën e madhe të pritjes. Pastaj ai u largua. Askush nuk vuri re kur zbriti me rrokullimë shkallët e mermerta, doli prej portës së kangjelltë, kapërceu rrugën gjëmimtare dhe i hipi makinës së tij.
Por po atë ditë, ndërsa po mbaronte orari i punës, nëpër shkallë ishte ngjitur lajmi se Fabricio ishte regjisor dhe filmi i tij i ardhshëm e kishte titullin "Welcome Albania".

Pa përfunduar orari i punës nëpër zyra po ashtu kishte hyrë e dalë kurioziteti i parë i takimit të Poetit me regjisorin: përmbajtja e faqeve të para të skenarit të filmit: "Një ditë e zakonshme me diell, buzëdetit. Një djalë rreth të tridhjetave rri i ulur në një shkëmb me fytyrën nga deti. Në duar mban një kitarë, i bie asaj butë. Deti është disi e trazuar.
Tingujt e kitarës përzihen me fëshfërimën e valëve.

Kamera, e mbajtur në një farë largësie nga djaloshi, e filmon nga shpatullat. Fillon e lëviz për t'iu afruar. Kur është afër, djaloshi kthehet dhe shikon në objektivin e saj: "Pas pak çastesh do t'ju tregoj një histori mahnitëse për një djalë të ri si unë, i cili e donte jetën po aq dhe që ra në dashuri me një shqiptare..."
 
20 dhe 21 gusht 1998 në Tiranë
Në kryeartikullin e saj “Nuk durohet më”, “Rilindja Demokratike" shkruan: "Nuk durohet më". Këto fjalë i dëgjon tanimë kudo, në rrugë, në shtëpi, në autobusë, në dyqane e klube. I dëgjon nga të rinj e të moshuar, nga të papunë por edhe nga biznesmenë. Shqiptarëve ju ka ardhur në majë të hundës me këtë qeveri dhe kanë të drejtë.

...Nano siç duket ka vendosur të zbatojë teorinë që thotë "skllavit shtoi drurin dhe pakësoi bukën", po a do ta pranojnë shqiptarët këtë?...Nëse do të vazhdojmë të qëndrojmë duarkryq e vetëm duke u ankuar, Nano do të vazhdojë të na "shtojë drurin e të na pakësojë bukën".
Një titull tjetër i faqes së parë thoshte “Qeveria  Nano mban peng Shqipërinë", një i tretë "Fatos Nano do të përfundojë si Kabila".

"Zëri i Popullit spikaste në faqen e parë titujt "Tritol kishës ortodokse në Shkodër" (Në orën 2.50 të së mërkurës një shpërthim i fuqishëm eksplozivi e kishte shndërruar në gërmadhë), "Ministri i Rendit: Kemi vendosur rendin. Po luftojmë krimin", "Panik dhe tmerr në Lushnjë. Banda me autoblindë. 6 vrasje në 6 ditë".
Të nesërmen, 21 gusht, "RD" nxirrte në pah në faqen e parë titujt "Departamenti i Shtetit: Deri më 13 nëntor asnjë amerikan në vendin e krimit dhe të bandave", “Pas kapjes së djalit të kryeministrit me drogë, Interpoli grek parashikon  kontroll në shtëpinë e Fatos Nanos", “Shqipëria, portë e shqyer për terroristët pas ardhjes në pushtet të socialistëve", "Berisha: Kishën ortodokse e goditi policia e fshehtë", “Zhduket për tre ditë Kabila shqiptar”.
 
Njëmijë copë guida "Shqipëria: Mrekullia e vitit 2000"
 
Kur Kostanco D'Agostino i ra çitofonit në kangjelen e portës kryesore të ambasadës, dezhuri ato çaste nuk ndodhej aty. Askush nuk e dinte se botuesi italian kishte sjellë me vete njëmijë depliante dhe pasi i kishte shkarkuar vetë nga makina ende vazhdonte t'i mbante në dorë para hekurave që nuk po i hapeshin. Kur më në fund porta iu çel, ai shfryu ajrin e pakët që i kishte mbetur ndryrë në gjoks dhe lëshoi menjëherë në tokë dengun e letrave.
E thirri: "Kam sjellë "Shqipëria: Mrekullia e vitit 2000"-thirri sërish gëzueshëm i porsaardhuri.

Në ballinë deplianti kishte një hartëzë të Shqipërisë, në krye të të cilës qe shkruar me germa të mëdha ngjyrëgjelbër "Shqipëria: Mrekullia ekonomike e vitit 2000".
Në të vërtetë në ballinë ishte edhe një hartë turistike e zvogëluar aq shumë sa për të dalluar shënimet shpjeguese të burimeve minerale, rezervave ujore, bimëve bujqësorë që kultivoheshin apo qendrave industriale duhej një lente e fuqishme.

D'Agostino menjëherë hapi faqen e dytë, të tretë...Në to dukeshin një kurorë me pamje nga Tirana, Kruja, pastaj fotoja e një shqiponje, më pas Berati, bregu i Vlorës, sërish një shqiponjë, por tashmë e stilizuar. Në mes të kurorës rrinin në radhë të përmbajtura fjalët "Pas zgjedhjeve të fundit të vitit 1997 në Shqipëri kudo përjetohet paqe sociale. Veprimtaria e mijëra sipërmarrësve italianë që veprojnë këtu ka rifilluar me vendosmëri dhe fitime të mëdha. Mrekullia ekonomike është tek porta.

Politika e qeverisë së tanishme synon të favorizojë investimet e huaja duke u bazuar mbi të gjitha mbi përqindjet fiskale favorizuese në favor të kostos së punës. Ndërhyrjet me qindra miliarda për të nxitur ekonominë dhe strukturat shoqërore e prodhuese shqiptare janë në vazhdim nga ana e Qeverisë Italiane dhe e Bashkimit Evropian. Pjesa më e madhe e popullsisë e këtij vendi tashmë flet gjuhën italiane dhe drejt italianëve sheh me besim të vazhdueshëm për të ardhmen".

Më tej, nëpër faqet në vijim: “Portet kryesore të vendit janë Durrësi, Vlora dhe Saranda. Nga portet italiane të Barit, Brindisit, Triestes dhe Ankonës mund të mbërrihet në Durrës me linja të drejta e të rregullta tragetesh... Edhe në rrugë ajrore mund të shkohet në aeroportin e Rinasit, 25 kilometra nga Tirana, nëpërmjet fluturimeve të përditshme të Swissair, Ada Air, Adria Airways, Top Air, Malev, Hemus Air, Olympic, Australian Airlines, Albanian Airlines, Arbëria Airlines... Një shërbim taksish është i gatshëm për të udhëtuar nga aeroporti në qendër të qytetit të Tiranës. Edhe me rrugë tokësore mund të shkosh nga Shqipëria në Stamboll, Sofje, Shkup e Athinë".
  Fatos %u200BNano
FATOS NANO
FATOS NANO

(Vijon)
Ylli Polovina
Fotot shoqëruese: 01. Ambasada Shqiptare në Romë, 02. Viale Eritrea, ku ndodhen apartamentet e diplomatëve shqiptarë, 03. Pallati Kixhi.



Redaksia Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?