16-vjetori i Pavarësisë, Kurti: Kosova u ndërtua me mbështetjen e aleatëve! Sot qëndrojmë të fortë pavarësisht sfidave

17 Shkurt, 08:37
  • Share

Qeveria e Kosovës ka mbajtur një mbledhje me rastin e Ditës së Pavarësisë. Në fjalën e tij, Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është “shtëpia e përbashkët”, që u ndërtua me mbështetjen e aleatëve.

Kurti tha se shteti po zhvillohet pavarësisht sfidave me të cilat po përballet.

“Pas luftës shkatërruese 1998-1999, në rindërtuam shtëpitë tanë. Me mbështetjen nga aleatët tanë ndërkombëtarë, ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët, Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale e solidaritetin, i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror. Një çerek shekulli pas luftës, Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenarë sepse përkundër sfidave, shteti ynë po zhvillohet”, tha Kurti.

Kurti uroi të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë ditë, ndërsa theksoi se Kosova ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim.

“Ashtu sikurse ditën kur u shpall, 16 vite më parë, ashtu edhe sot si dhe cdo ditë më tej, Republika e Kosovës ishte, është dhe do të jetë shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim. Andaj sot festojmë e urojmë e përgëzojmë jo vetëm shqiptarët, por edhe komunitetet joshumicë në Republikën tonë, serbët, boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët, por edhe malazëzët, kroatët etj”, shtoi Kurti.


Lajmi kryesor:

Kosova 16 vite e pavarur! Kuvendi seancë solemne, Kurti:S'negociojmë lirinë! Serbia refuzon firmosjen e planit franko-gjerman! Osmani: Konsolidohemi çdo ditë


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?