Kosova feston më 17 shkurt 15 vite pavarësi, ambasada në Tiranë pritje zyrtare! Begaj: Ka treguar pjekuri, është faktor paqeje në Rajon

15 Shkurt 2023, 19:20| Përditesimi: 15 Shkurt 2023, 20:50

  • Share

Në vigjilje të 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Ambasada e saj në Tiranë organizoi një pritje zyrtare, me politikanë, ambasadorë e jo vetëm. Për presidentin Bajram Begaj, në këto 15 vite Kosova ka treguar maturi dhe se është faktor paqeje në rajon.

‘Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj. Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.  Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta.  Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë. Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftrave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit.’- tha Begaj.

Mbështetje shprehu edhe për proceset integruese të Kosovës.

‘Aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, na riforcuan bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qënurit bashkë në familjen e madhe evropiane.’- u shpreh Begaj.

Edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri mbajti një fjalë përshëndetëse.  Kosova feston më 17 shkurt pavarësinë e saj, ndërsa në prag të pavarësisë një grup deputetësh të kuvendit të Shqipërisë zhvilluan një vizitë në Prishtinë duke takuar krerët më të lartë të politikës.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?