143-vjetori i lindjes së Luigj Gurakuqit, Ministrja e Arsimit: Nga sot, salla kryesore e ministrisë do të mbajë emrin e atdhetarit të shquar

20 Shkurt 2022, 09:29| Përditesimi: 20 Shkurt 2022, 09:39

  • Share

TIRANË- Me rastin e 143-vjetorit të lindjes së atdhetarit të shquar Luigj Gurakuqi, salla kryesore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ka marrë emrin e tij.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi gjatë fjalës së saj tha se figura e Luigj Gurakuqit në këtë sallë do të shërbejë si një frymëzim për të gjithë. Ajo tha se vendimet e rëndësishme që merren në këtë sallë, duhet të jenë jo vetëm të drejta, por edhe me shumë dashuri, pikërisht siç ishte dashuria e Luigj Gurakuqit për atdheun, shqiptarët dhe arsimin.

Historiani Pëllumb Xhufi, duke bërë një vlerësim historik të figurës së Gurakuqit, u shreh se nuk ka nder më të madh për këtë ministri se të mbajë emrin e tij në këtë sallë.

I ftuar i veçantë ishte edhe poeti dhe regjisori Nikolin Gurakuqi, pasardhësi i Luigj Gurakuqit, i cili shprehu  falënderime që një nga sallat më të rëndësishme në Ministrinë e Arsimit do të mbajë emrin e stërgjyshit të tij.

Ndërkohë Ditmir Bushati në fjalën e tij u shreh se veprat e atyre që kontribuan për Shqipërinë dhe brezat e ardhshëm duhen nderuar sa më shumë.

Përurimi i bustit u bë nga Ministrja Kushi dhe skulptori i talentuar Benard Lekgegaj, mësues në Liceun Artistik në Tiranë, i cili e punoi këtë bust enkas për këtë përvjetor të Gurakuqit për t'ia dhuruar kësaj ministrie.

Aktori Kastriot Çaushi, njëherazi edhe rektor i Universitetit të Arteve, dhuroi emocione me interpretimin e Elegjisë së Nolit për Luigj Gurakuqin "SYRGJYN VDEKUR".

Siç njofton zyra e shtypit, të pranishëm në këtë aktivitet ishin rektorë të universiteteve publike, drejtues të institucioneve arsimore parauniversitare, si dhe drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?