Autoriteti i Dosjeve verifikoi 232 zyrtarë, 14 në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit! Raporton mungesën e bashkëpunimit të partive

8 Prill, 15:52| Përditesimi: 9 Prill, 00:05

  • Share

TIRANE- Mungesa e bashkëpunimit të subjekteve politike, sa i përket verifikimit të integritetit të zyrtarëve, është një nga shqetësimet që ngre Autoriteti i Dosjeve në raportin e veprimtarisë për 2023-shin të depozituar pranë Kuvendit, në krye të këtij muaji. Rritja me 50 për qind, krahasuar me vitin 2022 e kandidaturave me probleme, është një tjetër sinjal alarmi. Vetëm 10, nga 61 bashki në total kanë bërë, sipas raportit, 23 kërkesa për verifikimin e pastërtisë së figurës për 41 shtetas. Rezultati, është që nga 61 individë të verifikuar për emërime apo tituj 10 shtetas figurojnë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit apo dëshmitarë.

Po ashtu, Autoriteti raporton se janë bërë 124 kërkesa për verifikim të 232 zyrtarëve dhe 14 prej tyre figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit (si bashkëpunëtorë, anëtarë të ish-Sigurimit të Shtetit, si Prokurorë dhe dëshmitarë në procese politike dhe nga Autoriteti, janë marrë 91 vendime. ) Ka pasur 10 zyrtarë ku kërkesa për verifikim nuk është legjitimuar ndërsa për 1 zyrtar është ndërprerë verifikimi.  Riverifikimi i figurave, që më herët janë pajisur me certifikatë pastërtie të figures, të komisioneve “Mezini” dhe “Bezhani”, është një tjetër çështje që trajtohet në raport.

Një tjetër problem që ngre Autoriteti në raportin e depozituar është fakti që personat e lindur në internim apo që kanë qenë minorenë kur janë internuar me familjet e tyre, nuk mund të përftojnë shtesën e pensionit për periudhën e internimit, pasi për ta, Komisioni i Internim -Dëbimit, nuk merrte vendime, e si pasojë nuk ka të dhëna arkivore. Kështu që Autoriteti propozon që në raste të tilla,  kushti për vërtetimin e periudhës së internimit, me dokumente të krijuara si burime arkivore, përpara datës 1.10.1991, në nenin 1 të ligjit, si një kusht alternativ dhe jo shterues.

Për vitin 2023, që është edhe viti i dytë i mandatit janë raportuar 57 mbledhje dhe 732 vendime të marra si dhe 2 marrëveshje bashkëpunimi. Me 73 punonjës në institucion, është bërë i mundur deklasifikimi i 5 591 njësive arkivore, ku është punuar në mënyrë intensive edhe sa i përket digjitalizimit (1,416,00 faqe), si dhe skanimit e mikrofilmimit të dosjeve. Të 575-ta kërkesat drejtuar Autoritetit kanë marrë përgjigje, 16 prej tyre kanë qenë për zbardhje bashkëpunëtoresh ndërsa 70 të tilla për të zhdukurit. Sa i përket aktiviteteve, janë mbajtur 49 të tilla, ku vlen të përmenden promovimi i botimeve me në fokus të shkuarën e personave që vuajtën persekutimin e diktaturës.

Autoriteti në raportin në fjalë i ka paraqitur Kuvendit dhe objektivat për këtë vit, ku parësore është ndihma ndaj ish-të përndjekurve për qëllime rehabilitimi ose dëmshpërblim, përmes verifikimit të dokumenteve është pika e parë . Po ashtu përmirësimi i ligjit për integritetin e zyrtarëve,  dhe premtimi për hapje si institucion burimor arkivor e ndërgjegjësues janë ndër zotimet e institucionit për 2024-ën.

A.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?