13 raste të reja me koronavirus në 24 orët e fundit, 4 më pak se dje! Për herë të parë të shëruarit ua kalojnë të infektuarve (VIDEO)

12 Prill 2020, 11:14| Përditesimi: 13 Prill 2020, 10:19

  • Share

TIRANE-Në 24 orët e fundit në Shqipëri janë regjistruar 13 raste të reja me koronavirus nga 233 teste që janë bërë në laboratorin e ISHP-së, 4 raste më pak se dje. Harta e të prekurve zgjerohet me 6 raste në Tiranë, 5 në Shkodër dhe 2 në Durrës, të cilët sipas ministrisë së Shëndetësisë janë kontakte të rasteve të para, jo vatra të reja. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 49 pacientë. Në total numri i personave që janë prekur shkon në 446 prej datës 8 mars kur u regjistrua rasti i parë. Të shëruarit në 24 orët e fundit janë 20 duke e dërguar në total në 217 numrin e personave që e kanë fituar luftën me këtë sëmundje. Ndërkohë që 23 persona kanë humbur jetën deri tani.

Në 446 rastet e konfirmuar nga 9 marsi deri ditën e sotme, ku përfshihen  dhe të shëruarit gjatë kësaj periudhe edhe viktimat, vihet re se për herë të parë numri i shëruarve që është 217 ia kalon atyre të infektuarve që është 206.

Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik dha detaje të tjera në publikimin e buletinit të 24 orëve të fundit. "Vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive. Në 24 orët e fundit janë testuar 233 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 3877 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 446 raste. Betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 23 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor. 

Gjatë 24 orëve të fundit, 20 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 217.  Siç duket në grafikun e shpërndarjes të të shëruarve sipas grupmoshave, kemi raste të shëruara në të gjitha grupmoshat. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 41 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre pacientë janë të intubuar". Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. "Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19" thekson ministria.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive
- Tiranë           215 raste
- Durrës           41 raste
- Lushnje         6 raste
- Elbasan         15 raste
- Fier                32 raste
- Kavajë           8 raste
- Rrogozhinë    4 raste
- Korçë             17 raste
- Vlorë              5 raste
- Shkodër          57 raste
- Lezhë             14 raste
- Berat              2 rast
- Has                12 raste
- Krujë             6 raste
-Tropojë          4 raste
- Pukë              5 raste
- Mirditë           3 raste

Ora 12:59
2 mjekë mes 20 të shëruarve në 24 orët e fundit

Ministrja e Shëndetësisë ka dhënë lajmin e mirë brenda 24 orëve të fundit, janë shëruar 20 pacientë, ku janë regjistruar dhe 2 mjekë të shëruar nga Covid-19 brenda 24 orëve, duke e quajtur një lajm shpresdhënës në këtë ditë simbol të triumfit të jetës, ditën e Pashkës. Aktualisht janë 32 mjekë të shëruara nga covid-19, ndërsa 16 të tjerë nga stafi mjekësor vijonë që të jenë të shtruar. Në total deri tani janë 271 vetë të shëruar pacientë dhe staf mjekësor. 

Ora 12:08
Shërohet gruaja e vetme shtatzënë që ishte prekur me koronavirus në Shqipëri (VIDEO)

Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik u shpreh për mediat se një grua shtatzënë që ishte prekur me koronavirus është shëruar. "Momentalisht nuk kemi gra shtatzëna të konfirmuara, kemi pasur një rast, por që tani paraqitet e shëruar" tha ajo. Sa i përket stafit mjekësor, Dervishi tha se "Deri tani janë 48 mjekë dhe infermierë me COVID". Gjithashtu, referuar rastit të djeshëm në Durrës ku një i ri zbuloi se ishte prekur vetëm pasi u aksidentua dhe përfundoi në spital, Marjeta Dervishi deklaroi "Pas konfirmimit u transferua te Infektivi. U morën masat sipas protokollove për parandalimin e infeksionit të 'Trauma'".

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjoni,Shkoder: 12/04/2020 16:17

    Me duket se shkodranet e mi duan me rrezu qeverine me korona.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?