13 kg heroinë në autobusin e linjës Durrës-Milano, pronari dhe shoferi mohojnë të kenë lidhje me drogën

1 Maj 2023, 11:10| Përditesimi: 2 Maj 2023, 16:13

  • Share

Dy persona u arrestuan dje nga policia në Portin e Durrësit, pas zbulimit të më shumë se 13 kg heroine të fshehura në autobusin me destinacion Italinë. Në pranga kanë rënë Mikel Pici, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve “Durrës-Milano” dhe Piro Rushi, 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Burime bëjnë me dije se lënda narkotike ishte fshehur në pjesën e sipërme metalike në mes të autobusit, ku ngarkohen bagazhet dhe ishte salduar në skajet e saj për të mos u dalluar. Droga u zbulua nga qentë e stërvitur të cilët kanë nuhatur dhe zbuluar vendndodhjen duke bërë që të niste menjëherë prerja e pjesës metalike për të ushtruar kontrolle në strukturën e autobusit ku edhe u gjend lënda narkotike.

Shoferi ka deklaruar se nuk ka informacion për lëndën narkotike dhe se nuk ka të bëjë me të. Po ashtu edhe pronari i linjës nuk ka pranuar të ketë lidhje me ngjarjen.

Në momentin e arrestimit, pronarit të linjës së autobusëve 'Keli Travel', Mikel Picit, iu gjet edhe një dozë e lëndës narkotike ‘heroinë’. Në kuadër të operacionit u sekuestruan edhe 8 telefona celularë, ndërsa vijojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të cilët mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Ndaj dy të arrestuarve rëndojnë akuzat për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?