12 marrëveshjet, Haradinaj: Unifikim
doganor.Rama:Mbledhja,jo provokim

27 Nëntor 2017, 17:42| Përditesimi:

  • Share
Pas firmosjes së 12 marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Kosovës, dy kryeministrat Rama dhe Haradinaj kanë dalë në një konferencë për mediat. Kryeministri shqiptar deklaroi se Shqipëria dhe Kosova do të forcojnë bashkëpunimin me 12 marrëveshjet që kanë nënshkruar.

Deklaratave të serbëve se mbledhja e dy qeverive është një provokim, Rama u përgjigjet duke thënë se nuk është aspak e tillë dhe se e radhës do të zhvillohet në Pejë. “Mbledhja flet vetë për një bilanc arritjesh me rëndësi dhe angazhimesh të rëndësishme  bazuar mbi sa kemi bërë deri më sot ne kemi marrë këto angazhime mbi bindjen se ka ende shumë për të bërë.

Këtë herë kemi marrë angazhime edhe përsa i përket diasporës, e cila do të konsiderohet ‘Një’ dhe për këtë arsye dhe qendrat e kulturës që ndihmojnë në provimin e vlerave të bashkëjetesës mes nesh edhe programet e gjuhës shqipe dhe aktivitetet do i bëjmë si ‘Një’. Pavarësisht se jemi në dy shtete bota shqiptare është ‘Një’” tha Rama.

Haradinaj deklaroi se shumë shpejt do firmoset protokolli për unifikimin doganor. “Jam i gëzuar për 12 marrëveshjet dhe jemi në punë me mbyllur edhe një protokoll për kalimin e kufirit mes dy vendeve dhe unifikimin doganor, pala kosovare ka ngecur, por do të arrijmë aty” tha ai. 

Pyetjet

Pyetja ime për të dy kryeministrat është: si i përgjigjen komentit të Presidentit të Republikës serbe të Bosnjës, Milorad Dodik ku ka thënë se pjesën e Kosovës mbi lumin Ibër, në të ardhmen e sheh si pjesë të Serbisë. A  mendoni se është kërcënim për Ballkanin ky?
Kryeministri Edi Rama:
 Ballkani është i lirë dhe secili ka të drejtë të shikojë ëndrrat e veta, po ne nuk jemi këtu për të komentuar ëndrrat e të tjerëve. Ne ëndrrën tonë e kemi të qartë edhe askush nuk na ndalon në realizimin e saj.

Kryeministri Haradinaj: Nuk kam për të shtuar. Ju faleminderit!

Kam një pyetje lidhur me pjesën veriore të Kosovës. A guxojmë të mendojmë se në të ardhmen, një mbledhje e tillë e dy qeverive mbahet matanë urës, matanë Ibrit, në Mitrovicë? Një pyetje e dytë për Kryeministrin Haradinaj. Sot ka dalë një dokument që thotë se Kosova qëndron shumë keq në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian në krahasim me shtetet e tjera. A mendoni se do të kemi ndonjë shans në krahasim me këto shtete të tjera, apo do të mbetemi në zero?

Kryeministri Rama: Përsa i përket mbledhjes së radhës e kemi vendosur me propozim të zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës që do të mbahet në Pejë. Dua ta nënvizoj që mbledhjet e dy qeverive nuk janë provokime për të tjerët, por janë takime mes nesh, për të bërë më mirë dhe më shumë nga ato punë që ne besoj kemi bërë dhe kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër.

Kryeministri Haradinaj: Mënyra e vetme që Kosova të ecë me ritmin e duhur në integrimin europian është me forcuar rendin dhe ligjin, me thelluar reformat në tërësi dhe luftën kundër korrupsionit. Këto janë sfidat e Kosovës që i ka para vetes. Mendoj se jemi seriozë në punë dhe mendoj se ritmi i Kosovës do të ndryshojë. Pra, po, ka perspektive Kosova.

Desha t’ju bëj një pyetje më specifike në lidhje me marrëveshjet që keni nënshkruar dhe protokollin e paralajmëruar për një kufi europian, siç e keni quajtur në takimin pararendës mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shkëmbimet tregtare mes dy vende lënë shumë për të dëshiruar. Volumi vjetor nuk shkon më shumë se 300 milionë euro në vit. Në këtë sens, a do të ketë avantazhe për bizneset në të dyja anët e kufirit përsa i përket kalimit dhe shkëmbimeve tregtare dhe përsa i përket dengut të letrave që ata duhet të tregojnë. Do të eliminohen këto barriera?

Kryeministri Rama: Gjithçka lë për të dëshiruara në çdo aspekt të jetës sonë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë. Ne jemi në një proces zhvillimi, shtetbërjeje dhe transformimi. Ama, edhe në këtë rast, nëse kthejmë kokën pas, shikojmë rritje inkurajuese të shkëmbimeve tregtare, rritje inkurajuese të numrit të bizneseve nga Shqipëria në Kosovë dhe nga Kosova në Shqipëri.

Rritje inkurajuese të ndërveprimeve në fushën e shkëmbimeve tërësore ekonomike. A mjafton? Jo, nuk mjafton. As kjo nuk mjafton, asgjë nuk mjafton, por mbi këtë bazë sigurish do të përpiqemi dhe i kemi të gjitha mundësitë për të bërë shumë më tepër. E për këtë arsye, - e tha dhe Kryeministri, - jemi duke pritur të finalizojmë unifikimin doganor. Janë disa aspekte të thjeshta teknike, që duhet të finalizojë pala e Republikës së Kosovës dhe jemi gati. Për këtë do të vazhdojmë me heqjen e barrierave jo tarifore dhe lehtësimin e mëtejshëm të qarkullimit, për këtë po punojmë për një sistem administrimi të pikës së kontrollit kufitar, që të jetë shumë më fleksibël dhe ta bëjë shumë më të lehtë qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave.

Jam i bindur që në vijim do të shikojmë rritje të mëtejshme të shkëmbimeve tregtare që përsëri nuk do mjaftojë, sepse ambicia jonë është shumë më e madhe dhe ajo që qytetarët presin me të drejtë është shumë më tepër, sesa çfarë ne kemi mundur të bëjmë. Kështu që kurrë nuk është mjaft, por, sidoqoftë, çka është bërë, është mjaft për të thënë që më shumë akoma mund të bëhet.

Kryeministri Haradinaj: Janë edhe fjalët e mia.

U arritën sot 12 marrëveshje dhe e përmendët rëndësinë e tyre, por kemi marrëveshje që janë arritur edhe nga mbledhjet e kaluara, por që nuk janë zbatuar në tërësi. Jeni zotuar sot, që të gjitha këto marrëveshje të arritura sot do të implementohen. Përshembull, shkëmbimi i mallrave. Ka pasur telashe tek patatet, tek importi i tyre.
Kryeministri Rama: Janë dy gjëra të ndryshme dhe marrëveshjet janë zbatuar. Sigurisht që ka nevojë për të bërë më shumë, prandaj kemi bërë dhe marrëveshje të reja, por nuk ka marrëveshje të pazbatuara. Janë dy gjëra të ndryshme. Telashet tek patatet janë telashe të vjetra, që janë më pak sot se dje, por duhet të jenë zero nesër në krahasim me sot.

Zoti Rama, herën e fundit që e keni takuar kryeministrin e Kosovës i keni kërkuar të rishikojë mendimin e tij, qëndrimin e tij për demarkacionin. A vazhdon kjo këshillë e jotja?
Për Kryeministrin e Kosovës. Presidenti ka thënë që do kërkojë llogari prej jush për shkak se keni paraqitur si qëndrim zyrtar demarkacionin tek ambasada. A ka kërkuar Presidenti llogari nga ana juaj?

Kryeministri Rama: Unë atë që kam thënë, Ramushi e di dhe ashtu e mendoj, ashtu e besoj dhe ashtu e kam bindjen e me këtë rast mund edhe ta kisha përsëritur, por, meqë jemi mbledhur këtu për çështje të tjera, e pashë të udhës që të mos e përsërisë.

Kryeministri Haradinaj: Ajo që më ka bërë përshtypje shumë sot, në Korçë, kam vizituar muzeun mesjetar, ku kishte ikona të shekullit të XIII e më tutje. Ishte diçka e mrekullueshme. Njëkohësisht mësonjëtoren e parë shqipe, diçka e rrallë, e mirë për ne dhe katedralen këtu në Korçë. NJë ngjarje e mirë. Në Prishtinë, ne jemi përditë bashkë dhe sa herë ju intereson, ju informoj. Jemi në koordinim me Presidentin dhe me gjithë institucionet e vendit për çdo temë. Edhe për temën e demarkacionit koordinojmë.

Zoti Kryeministër i Shqipërisë, pas 5 ditësh, vendi do të jetë pa Prokuror të Përgjithshëm për shkak se i mbaron mandati. A keni ju një zgjidhje për të mos e lënë vendin pa kryeprokuror? Për Kryeministrin Haradinaj, a keni influencuar ju politikisht që kundërshtari juaj politik, Albin Kurti, të arrestohej, siç pretendon Vetëvendosja?
Kryeministri Rama: Çështja e Prokurorit të Përgjithshëm nuk ka qenë në axhendën e bisedimeve me Kryeministrin Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj: Në Kosovë, demokracia është shumë e gjallë. Kishim një dinamikë shumë të fuqishme në kundërshtim të disa marrëveshjeve të konsideruara të dëmshme dhe të rrezikshme. Ne kemi pasur disa dallime atëherë dhe tani kemi ato dallime, pra, përgjigja ndaj gjyqësorit, kundërshtimi politik është një temë, përgjigja ndaj gjyqësorit është një temë. Mendoj që Kosova po dëshmon se gjyqësori është i kredibël dhe shumë vendime të gjyqësorit në këto kohë kanë dalë me qenë po i quaj të drejta e të duhura dhe unë nuk mund t’i komentoj ato.

A mund t’i jepet nënshtetësia shqiptare qytetarëve të Kosovës dhe a rrezikon gjë Shqipëria nga kjo? A ka qenë temë bisede mes dy kryeministrave?
Kryeministri Rama: Në këtë pikë, unë jam i të njëjtit mendim me Presidentin tonë të Republikës dhe nuk kam asgjë për t’i shtuar qëndrimit të tij zyrtar përsa i përket kësaj çështjeje.​

[gallery]24904[/gallery]

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?