Politikë

12 gra dhe 5 burra në qeverinë e re, aktivistja Gjikondi: Ky është emancipim! Rama ndëshkoi figurat që s’punuan për partinë, por për veten

3 Shtator 2021, 13:47| Përditesimi: 3 Shtator 2021, 14:41

  • Share

12 gra e 5 burra do të jenë anëtarët e rinj të qeverisë “Rama 3”, siç bëri me dije dje kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të emrave në Asamblenë e PS. Për aktivisten Brizida Gjikondi ky është një tregues emancipimi dhe ditë e shënuar për gratë në historinë e tyre.

“Dje ishte ditë e shënuar për gratë shqiptare në historinë e tyre. Të kesh gati 70% të qeverisë të përbërë nga gra është lajm shumë i mirë. Kjo valë emancipimi për gruan shqiptare ka përcjellë vetëm të mira. Në një emision televiziv Rama tha se nuk ishte ideja e tij për të bërë një model të emancipuar, por se gjeti  personat e duhur, në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Emancipimi për mua është pikë kyçe, kjo është arritje e madhe”, tha Gjikondi.

Me ndarjen e pozicioneve Gjikondi tha se Rama ka ndëshkuar ata që nuk kanë punuar për partinë por për interesa personale. Këtu përmendi edhe Taulant Ballën, i cili u “zhvesh” nga postet e rëndësishme që mbante në parti ndonëse doli më i votuari në zgjedhjet e 25 prillit.

“Rama ka ndëshkuar me heshtje, me pozicionime të reja, të gjithë ata që nuk kanë punuar për partinë por kanë punuar për vete. Kam përshtypjen se këtu duhet të fokusohej Rama, te pjesa e përulësisë te pjesa e të punuarit në grup dhe për partinë, kjo është filozofia e Ramës. Në disa qarqe ka pasur orientim të votës nga drejtuesi politik i qarkut”, shtoi ajo.

Të rikonfirmuar por edhe emra të rinj, një numër rekord grash në kabinetin e ri qeveritar dhe lëvizje surprizë në postet drejtuese në Partinë Socialist, u prezantuan dje nga Rama. Numri 2 i partisë është Arben Ahmetaj, në vend të Erion Braçes. Sa i përket ekipit të ri të Partisë Socialiste ndryshimi i rëndësishëm ishte ai i Sekretarit të Përgjithshëm të partisë. Damian Gjiknuri i ka marrë kështu vendin Taulant Ballës si numri 2 i PS.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?