100-vjetori, patrioti Themistokli
Gërmenji i lënë në harresë

7 Nëntor 2012, 11:41| Përditesimi:

  • Share
KORCE - Patrioti Themistokli Gërmenji, i cili në 1916 shpalli Korçën krahinë autonome, duket se është lënë tërësisht në harresë në këtë 100-vjetor të pavarësisë së vendit si dhe në 95- vjetorin e pushkatimit.

Kur na ndajnë dhe pak ditë nga këto dy ngjarje të mëdha historike, nuk ka asnjë vëmendje ndaj këtij patrioti të Korçës dhe kontributit që ai dha për lirinë e vëndit. Busti i Themistokli Gërmenjit, qëndron përgjatë bulevardit “Republika”, tek lulishtja që mban të njëjtin emër, në një piedestal të dëmtuar, ku e vetmja gjë që dallohet është emri i gdhendur në një pllakë mermeri.

Piedestalit ku qëndron krenar busti i Gërmenjit, i janë vjedhur dy pllakat prej bronxi, ku shkruhej me gërma kapitale gjithë veprimtaria e tij. Ato janë zvëndësuar me shkrime të ndryshme dhe bojë, dëshmi e shkatërrimit. Më të vjetërit në qytetin e Korçës, risjellin në kujtesë veprën e Gërmenjit, duke bërë apel për më tepër kujdes ndaj këtyre figurave që bota i kërkon dhe ruan me fanatizëm, ndërsa ne i kemi dhe i shkatërrojmë.

Ndërsa lemë pas bulevardin”Republika”dhe zhvendosemi tek bulevardi “Shën Gjergji”, të tërheq vëmendjen shtëpia e këtij patrioti, e cila prej vitit 1996 është kthyer në lokal. Pak metra më poshtë, po në këtë bulevard në 1916 në ballkonin e një ndërtese dykatëshe, përballë bibliotekës “Thimi Mitko”, Themistokli Gërmenji ngriti flamurin e Korçës autonome.

Sot kjo ndërtesë ka mbetur vetëm një gërmadhë, duke mos dëshmuar asgjë nga e kaluara e saj e lavdishme. Në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, kur më shumë se kurrë duhej t’i kushtohej vëmendje patriotëve, kjo gjë nuk ka ndodhur me Themistokli Gërmenjin, i cili nuk ka marrë asnjë vëmendje nga instancat përgjegjëse.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?