100-vjetori i Jusuf Vrionit:"Ai ishte
 i pari, ai ishte mbi të gjithë ne"

13 Mars 2016, 07:59| Përditesimi:

TIRANË - Është e vështirë të shkruash për mbresa dhe vite të shkuara, mbërthyer në kuadrin e tyre të caktuar historik, politik e shoqëror, ku përfshihet një pjesë e mirë e jetës sonë, sidomos vitet më të ethshme të rinisë profesionale. Është e vështirë, sepse, ndonëse nga një pikëpamje ato mund të cilësohen si "vite të humbura në marrëzi të kohës", përsëri, pleksen në kujtesë edhe ndjenja të ngrohta, një jetë kolektive nga më kompaktet, mall e miqësi e vyer, deri në dashuri vëllazërore, kur shok e miq tashmë na mungojnë dhe kur gjithkush, nga ai kolektiv i atëhershëm përkthyesish e redaktorësh të Redaksisë së Gjuhëve të Huaja vijoi udhën e vet të fatit në jetë.

E tillë ishte koha : kohë totalitare, sistem i ngërthyer politiko-shoqëror, ku gjallonte izolimi nga Perëndimi, lufta e klasave, militarizimi i plotë paralizues me bunkerizimin e shpirtrave, mendjeve, vetëdijës. Për fatkeqësinë tonë, si të një populli të tërë përvuajtur historikisht, ne ishim produkt i asaj kohe dhe totalitarizmi domosdo ushtrohej mbi ne me të gjitha format e veta; donim s'donim, ne ishim pjesë e tij dhe puna jonë profesionale, e detyruar dhe e kontrolluar nga lart, ishte pjesë e mbijetesës të një populli nën diktaturë, kur lypsej mençuri, maturi dhe dashuri për të jetuar jetën.

Veçse, për ata përkthyes e redaktorë të gjuhëve të huaja që përbënin numerikisht redaksinë më të madhe të Shtëpisë Botuese "8 Nëntori", vetë gjuha e huaj ishte si një dritare e hapur drejt botës, e mbi të gjitha drejt Perëndimit, që i "thyente" disi kornizat e indoktrimimit total dhe të izolimit totalitar për njëmijë arsye. Mbi të gjitha, sepse vetë gjuha e huaj është qytetërim e kulturë, përfaqëson shpirtin e ndritur të popullit që e flet, penën e shkëlqyer të njerëzve të mëdhenj të Letrave, që e kanë përpunuar atë në rrjedhë të Historisë.

Dhe një përkthyes i mirë duhej të kapte pikërisht shpirtin e asaj gjuhe, të mendonte në të dhe të kish njohuri të gjera  për lëndën që përpunonte gjatë përkthimit, pa harruar parimin kryesor të atij "zanati" nga më të vështirët, që përkthimi, mbi të gjitha, është art.

Fakti është që, në mjetet e punës të përkthyesit, krahas fjalorëve të vëllimshëm gjuhësorë – te sektori i frëngjishtes ndodhej Le Grand Robert prej 6 vëllimesh shoqëruar nga Le Supplement (fjalorë këta që e shfaqin gjuhën frënge nëpërmjet një pafundësie citimesh nga autorë të ndritur për të pasqyruar kuptimin më të saktë dhe nuancën më të hollë të fjalës – mbi tryezën e punës ndodheshin edhe Fjalorët Enciklopedikë (Si Larousse, tre vëllime), ilustruar me ngjyra, ku domosdo flitej në to me gjuhën e artit, shkencës, historisë, letërsisë klasike dhe moderne.

Pra, fjalorët, dhe në raste të veçanta, ajo letërsi e paktë bashkëkohore që gjenim në Lidhjen e Shkrimtarëve, përbënin njëfarësoj mjetet minimale të punës së përkthyesit. Sigurisht, nuk duhet harruar këtu tërë ajo letërsi klasike politike e përkthyer që vilej për frazeologji dhe për nuanca gjuhësore.

Por, le të hyj më mirë drejt e në kujtime, duke shmangur teorizimet e njohura në këtë fushë, shkollat e ndryshme përkthimore, ku rrugë të mundimshme kishte çelur shkolla ruse që në vitet 1920-30, tek kishte bërë emër me talentet rusë të bardhë ushqyer nga shkolla klasike frënge e Rusoit me shokë.

Në fakt, ende pa filluar të flas për ato vite, dhe veç kur stepem në çast. Përpara më del figura e Mjeshtër Vrionit, si një ikonë. Po, po. Ai ishte i pari, ai ishte mbi të gjithë ne, shembull profesionisti të përkryer dhe Njeriu Fisnik, që nuk u thye një herë nga hallet dhe vuajtjet. Me gjak shqiptar dhe zemër franceze, ai na çeli dritaren e lirisë shpirtërore, portat e dashurisë për gjuhën frënge, për të depërtuar në thelbin e saj, në vetë qelizat e brendshme të kulturës dhe qytetërimit frëng.

Mbërthehem nga emocion, nga shumë emocion dhe pesha e nostalgjisë më bllokon, më mban një hop frymën, më ndal gishtat mbi tastierë, më dretjon halën e shpinës si në një minutë heshtjeje, sa të ngopem mirë me frymë, të shfryj një "heeeeh" të zgjatë e të çlirohem nga tërë ai mall. E shoh, si të jem ndarë me Profesor Vrionin jo më larg se dje, përherë të gjallë, në lëvizje plot energji, tek vjen në zyrë çdo mëngjes rruar freskët, veshur gjithë elegancë, me kombinim këmishe, pantalloni e xhakete, me kravatë plot gusto e me frymën që i merrej pak, pasi kish ngjitur tre katet e godinës me lehtësinë sportive të kërcimit në litar.

E shoh të lëshojë "bonjour"-in e tij të ngrohtë, duke i mëshuar fort rrokjes së parë, por duke ëmbëlsuar me zgjatje të r-së rrokjen dytë me atë theks parisiani. E shoh të prekë e të rregullojë alfabetikisht që në fillim Fjalorët në krye të tryezës, atë çka përfaqësonte mrekullisht Perëndimin, si të merrte që andej energjinë vitale ditore dhe, oburra! kërcitja e menjëhershme si muzikë vagneriane e gërmave të makinës së shkrimit mbi cilindrin metalik...

Përkthim, përkthim, përkthim... Redaktim; pa fund redaktim; deri në boca; mbi shtatë a tetë herë redaktim; pasandaj, korrigjim, konfrontim, stërkorigjim e stërkonfrontim; dhe tërë kjo vetëm për një tekst, për një libër, për një autor... Shkruaj me laps, hidh në makinë, fshi me gomë. Qindra faqe, mijëra faqe. Apo më konkretisht, 33 mijë faqe të botuara, kaluar shumë herë me radhë në duar nga secili anëtar i redaksisë, për njëzet e kusur vjet rresht, tek i besojmë humorit të hollë të Mjeshtrit të Madh të përthimit Zef Simoni.

Shtereshin kështu gjer në fund energjitë, kapacitetet, talentet, dhe vetë institucioni i lartë i punës shtrydhte pikën e tij të fundit, kur dita efektive e punës shkonte deri në 14 orë, sidomos në valë "aksionesh" që pasoheshin pandalshëm si valë deti. O tempora o mores! Ishte si një industri e tërë përkthimi, sidomos kur grupoheshin gjithandej përkthyes, redaktorë e daktilografë në tetë a dhjetë gjuhë të huaja në SHQUP, ardhur nga Radio Tirana, ATSH-ja, 8 Nëntori, etj., mbi pesëdhjetë a gjashtëdhjetë vetë, e kur kërcisnin makinat e shkrimit në garë për të përkthyer urgjentisht, e me stap mbi kokë (me roje te dera hyrëse) materiale "top sekret", si në një kantier e bunker përkthimi...

Dhe ja ku përsëri, përpara më shfaqet Jusufi tek i fluturojnë gishtat mbi tastierë, tek i renditen papushim rreshtat e përkthyer, paragrafët, faqet, njëzet e pesë faqe përkthim në ditë, një normë përkthimore rekord, e barabartë me normën ditore të daktilografimit.

Po se mos veç kaq. Ashtu si në rininë e tij të hershme, kur ishte kampion tenisi dubël dhe lojtar në hokej mbi akull i ekipit kombëtar francez Sélection de Paris në vitet 1932-1933 (oh! ç'kënaqësi për mua kur gjeta emrin e tij te disa numra të revistës frënge Neige et Glace, mes patinatorëve Thomas, Bottenheim e Belanger), ai mbeti kampion në artin e përkthimit letrar, tek çau i pari në Perëndim, që në vitet 60, rrugën e Letrave shqipe me Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur të Kadaresë.

Si një argjendpunues i vërtetë anonim, e punoi dhe e përpunoi variantin frëngjisht disa herë me radhë, tek nxori nga duart një stoli të rrallë përkthimi nga më intrigueset për Perëndimin, një rubin vetëtitës që do merrej për bazë përkthimi në shumë gjuhë të huaja jo vetëm i asaj vepre, por edhe i krejt veprës pasuese të shkrimtarit të madh shqiptar.

Pak, shumë pak, fliste Profesori për vete, për punën e tij jashtë zyrës, e sidomos për vitet e tij të shkuara, të lumtura a të përvuajtura. Të lumtura, në ato vite 30 shtrausiane të cilësuara  "années folles", që sikur paralajmëronin furtunën e luftës së dytë botërore dhe tërë atë periudhë të gjatë të vuajtjes në tortura e izolim që do pasonte për vetë Jusufin tonë, intelektualin e klasit të parë me disa diploma në xhep dhe me shpirt rinor sportiv, të cilin e ruajti tërë jetën.

Më kujtohet si sot kur na fliste tepër i kursyer, shkarazi, për garat e rinisë së tij të hershme në slalomin gjigand alpeve franco-zviceriane, për Chamonix-in, për ndeshjet e tenisit dhe mini-kampionatet gjatë viteve 1945-46 te Shallvaret në Tiranë, dhe kur të ardhurat modeste që vinin nga spektakli i atyre ndeshjeve shkonin të gjitha në favor të viktimave të luftës dhe të bonjakëve.

Rezervohej, ruhej, druhej, i gjori Profesori ynë, të fliste për të shkuarën, për më tepër se mos keqinterpretohej, i rrahur me vaj e me uthull siç ishte, e mbi të gjitha, nuhatës i finesës kuptimore të fjalëve, i ambivalencës semantike e sidomos i vetë tipave e karaktereve që e rrethonin në lagje e kudo. Sepse e dinte më së miri që gjuha e ligë kocka s'ka, por kocka thyen.

Andaj dhe ishte i kursyer shumë në fjalë, kur spiunllëku e keqdashësia vepronin sheshazi e skuthazi, dhe kur te Naim Frashëri arrestoheshin brutalisht përkthyes e redaktorë thjesht "për të dhënë shembullin", me mesazhin: "Mos na lëvizni bishtin!" Madje edhe kur donte të pohonte diçka pozitive nga përvoja e tij e pasur, sidomos profesionale, Jusufi i dashur e fillonte fjalinë me një shprehje të bukur në frëngjisht që, si shumë të tjera, më është ngulur në mendje: Sans fausse modestie, je dois dire que (pa modesti të shtirur, me duhet të them që).

Nuk është një fjalë goje të thuash: Jusufi ishte shkollë për ne, ishte profesori ynë. Tek kishte moto të tij Stili është vetë njeriu, ai ishte i prirë jo thjesht pas përkthimit të saktë, por sidomos pas elegancës gjuhësore, pas bukurisë së frëngjishtes, duke pasur parasysh sa postulatin "Traduttore, traditore" që në çdo çast të merrte keqas në qafë, aq edhe "postulatin e tij personal", në kushte të reja të fatit në jetë, "je traduis, donc je vis" (përkthej, pra jetoj).

Në fakt, pa kurrfarë emfaze, lypset të them se në përkthimin që Profesori nxirrte nga dora,  kishte krijimtari, dozuar bukur, si mjeshtër i lidhjes së fjalëve plot zhdërvjelltësi; kishte krijimtari edhe kur një lëndë shterpë dhe e ngurtë, me varfëri ideore, ai e bënte të shfaqej bukurisht shterpë dhe bukurisht të ngurtë e të thatë.

Me mjeshtëri të rrallë e lëmonte fjalinë, hiqte të tepërtat e saj, (e zbuste llafollogjinë), duke mos harruar një çast se në gjuhë nuk ka sinonimi absolute a papërkthyeshmëri, por ka transpozim ideor përmes pengesash gjuhësore që duhen kapërcyer artistikisht bukur, apo "sportivisht" të themi, në mënyrën e tij jusufiane. Qëllonte shpesh që teksti shqip, politik e letrar, shfaqte, veç ngurtësisë ideore, edhe një ftohtësi artistike, një varfëri e monotoni leksikore, me stil të rëndë a të rëndomtë (na kishte qëlluar të lexonim shqip në një faqe dialogu intensiv letrar deri në dymbëdhjetë herë fjalën "tha", "tha ai, thashë unë" etj).

Po Jusufi, me kurajo profesionale e guxim krijues, e bënte tekstin e përkthyer të këndshëm, duke përdorur aq bukur në frëngjisht të barasvlefshmit e foljes "tha" në format: "u përgjigj", 'ia pati", "ia priti", "ia ktheu", "ia preu", etj. tek shfaqte kësisoj vetë gjendjen emocionale të personazheve në dialog. Në këtë drejtim, në ato vite 70, dhe në atë nivel të caktuar përpunimi që kishte arritur gjuha dhe sidomos letërsia shqipe, Jusufi jep shembullin e përmirësimit dhe të përsosjes së vetë stilistikës shqipe, si ta tërhiqte nga lart, ta "kapte për leshrash", për ta zhdërvjelltësuar gjuhën e shkruar shqipe.

Dhe nuk do ta teproja po të thosha se mjaft shkrimtarë, me përkthimin e Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur dhe të Lettres albanaises mësuan pikërisht në shkollën e tij si të shpreheshin shqip me elegancë, dhe jo thjesht e vetëm me figura letrare. 
 
Kishte Profesori një gjë tepër të veçantë: i konsultonte fjalorët shumë më shpesh nga ne, dhe pa kurrfarë përtese; madje i shfletonte me mjaft kënaqësi, edhe pse koha kishte për të një vlerë të veçantë, kur darkave gjer vonë e prisnin përherë përkthimet letrare e shkencore. Vazhdimisht na e këshillonte këtë praktikë edhe neve, që përtonim pakëz, përderisa vetë fjalorin e gjallë, Jusufin, e kishim para syve, një metër larg, "fjalor" që na joshte e na përshtatej për bukuri, sepse përgjigjen e pyetjes sonë, ai e kishte përherë të gatshme, në majë të gjuhës. Dhe jo një, por dy-tre përgjigje radhazi sipas kontekstit të fjalës a shprehjes.

Po kishte Profesori edhe një teknikë mahnitëse të përdorimit të vetë fjalorit: brenda dy sekondash, e çelte vëllimin te germa e parë e fjalës që kërkonte; me dy-tre fluturime të shpejta të faqeve që ritmoheshin një pas një nga gishti i madh, binte shi te fjala që hulumtonte; dhe pasandaj, me një rrëshqitje të shpejtë të tre gishtave të mesit të bashkuara, kërkonte me vështrim përthithës kolonave të gjata shpjeguese nuancën që donte, në morinë e germave të vogla, duke ditur paraprakisht se çfarë konkretisht po gjurmonte.

E tëra nuk zgjaste më shumë se 15-20 sekonda, dhe hop, fjalori i trashë mbyllej me një përplasje të lehtë, e në çast renditej në etazherin e tij të vogël. Ishte një proces hulumtimi si të kërkonte të rizgjonte në kujtesë, falë ngacmimeve shpjeguese terminologjike, pikërisht atë çka kishte ditur shumë më parë, por fashitur. Dhe kishte të drejtë kur na thosh: "Një gjë që nuk e di, s'ke si ta gjesh në fjalor.

Fjalori është thjesht për të vërtetuar diçka që e ke me dyshim". Ja pse e pikaste me shpejtësi atë për të cilën ngulmonte, aq sa kishte raste kur e dinte paraprakisht edhe vendin e shpjegimit të nuancës në tërë atë piko fjalor, gjë që fliste për një memorie të rrallë e të gjallë vizuale. Dhe nëse Profesori na rekomandonte ne të rinjve konsultimin e shpeshtë të fjalorit, kjo sepse, duke ngulmuar për atë që donim të gjenim, do të ishim të detyruar të lexonim edhe shpjegime të tjera shtojcë. Kësisoj, drejtpërdrejt a tërthorazi, nën shembullin e Mjeshtrit, hidhte rrënjë të thella te ne të rinjtë profesionalizmi dhe vinte duke u zgjeruar diapazoni ynë gjuhësor e kulturor.

Puna me fjalorët ishte njëra anë e medaljes, ana tjetër ishte puna me skedat gjë që, me thënë të drejtën, me gjithë ngulmimet e drejtuesve, neglizhohej, na dukej si punë angari. Fakti është që, nën kujdesin e Jusufit, ishte ndërtuar një lloj skedari në sektorin e frëngjishtes nga Rajmonda Vuçini, veterania e sektorit, përkthyese e zonja, gjithë gjallëri e energji, vetë motori ndërsektorial i frymës së shëndoshë kolektive të redaksisë. Kishte në ato skedina mori shprehjesh frazeologjike të vështira, proverba shqipe me të barasvlefshmet e tyre frëngjisht, terma të rrallë, nuanca semantike e ndonjëherë edhe struktura të bukura stilistikore në frëngjisht.
(Vijon...)


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?