100 vjet nga vrasja e gjeneral Telinit

28 Gusht 2023, 10:07| Përditesimi: 28 Gusht 2023, 10:12

  • Share

Më 27 gusht 1923, u vra kryetari i komisionit të kufijve, gjenerali italian. Ngjarje u diskutua edhe në Këshillin Kombëtar (parlamenti) të Shqipërisë. Fillimisht foli kryeministri e më pas deputetët Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ali Këlcyra dhe Vissarion Xhuvani. Në shenjë respekti për emrin e Telinit, Këshilli Kombëtar i Shqipërisë ndaloi punimet për 24 orë. Kryeministri Ahmet Zogu mbajti këtë fjalim:

“Me hidhërim të madh po ju jap lajmin për një ngjarje të shëmtuar e tepër të poshtër që ka ndodhë në Greqi. Para tri ditëve, komisioni i kufijve, duke ardhur nga Janina në Gjirokastër, pati një rrezik, pse kryetari i këtij komisioni, gjenerali italian z.Telini, u vra bashkë me shokët e tij. Duke dalë prej Janine, i pari automobil ishte ai i komisionit shqiptar. I dyti i komisionit italian dhe i treti i atij grek. Mbas udhëtimit prej 54 km nga Janina, kur arritën në Zep, automobili i komisionit shqiptar kaloi këtë vend, ndërsa ai i komisionit italian ndalohet e vriten gjenerali, një major doktor, një toger adjutant, një ushtar, shoferi e një shqiptar.

Pas kësaj ngjarjeje, kaloi komisioni i Greqisë pa pasur asnjë ngjarje, vijoi e shkoi në Gjirokastër. Përmbi këtë janë përhapur lajme të këqija, të cilat, qeveria e populli shqiptar i përgënjeshtrojnë e protestojmë rreptësisht pse në tokën shqiptare, në ato anë nuk ka asnjë bandë. Pos kësaj, z.gjeneral Telini ka qenë mik i popullit shqiptar dhe i ka përkrahë me paanësi të drejtat e tij. Qeveria e populli shqiptar kanë marrë pjesë në hidhërimin e madh që ka sot qeveria e populli italian”.

Ngjarja në fakt përshpejtoi mbylljen e procesit të kufijve të Shqipërisë, i cili duhej të ishte kryer më vitet 1913-1914. Në Firence, nē vitin 1925 fuqitë e mëdha nënshkruan kufirin me Greqinë dhe në vitin 1926 kufirin me Mbretërinë Serbo - Kroato - Sllovene, kufijtë që kemi edhe sot.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?