10 vjet pa Rrepshjen, ditët e
braktisura të një poeti të madh

17 Shkurt 2016, 09:00| Përditesimi:

  • Share
TIRANË - Si, sot 10 vjet më parë u nda nga jeta Frederik Rreshpja, zëri më i bukur lirik i poezisë shqipe.  Dy vitet e fundit të jetës së tij i njoh nga afër. E kam takuar disa herë dhe kam dëgjuar prej tij rrëfime nga më të çuditshmet, ku trazoheshin bashkë rinia pasionante, arrestimi i tij, hetuesia, burgu, dëshirat e marra për tu arratisur nga dhimbjet, plagët e zemrës së tij, një histori e pabesueshme dashurie…dhe pastaj rrëzimi i regjimit komunist, një përtëritje e tij, një karrierë e pabesueshme, para, pasuri, që u zhduk në mënyrën më të mistershme brenda pak vitesh, njerëz të politikës që ai i përmendte shpesh kur fliste për rrënimin e tij të dytë në vitet e demokracisë, njerëz të pushtetshëm, e në fund, poezia, qindra vargje që i shkruant e i rishkruante çdo ditë, që i mblidhte me kujdes në një dosje që e mbante poshtë xhaketës së tij të vjetër…

Vitet që e kam njohur ishte i sëmurë, jetonte në mjerim, me lëmoshë e përkujdesjen e miqve që e donin. Por jetën e tij e bënte të bukur poezia, mënyra se si ai e shihte botën, dashurinë, historinë, dimensionet e jetës. Kur botoi librin e tij të fundit “në vetmi” pata fatin ti marr një intervistë, të cilën do ta sjellim sot në këtë përvjetor të 10-të të humbjes së tij. Në këtë intervistë, që mbase është rrëfimi i tij i fundit, ata që nuk e njohin ende, do të kuptojnë shumë nga bota e këtij poeti të veçantë që iku nga kjo jetë, i trishtuar e me dhimbje të mëdha.
 
Intervista e vitit 2005
Ai është i gjithi një poezi e mrekullueshme…". Më kujtohen këto fjalë sa herë e shoh Frederik Rreshpen në hapësirën mes bulevardit "Zogu i Parë" dhe bar "Luks"-it. Ndonjëherë deri te Muzeu Historik. Fiziku i tij, lëvizjet, kapelja që i rri mbi sy, sytë e trishtë, tejet të trishtë, dhe zëri si një melodi e largët. Ecën. Del gjithmonë, aq sa mundet e kur zemrën e ndien pak më të fortë. Nuk mund të lëvizë më shumë. Shëndeti i dobët kaq kënaqësi mund t'i dhurojë. Mund ta hasësh një ditë të ftohtë të funddimrit, ndërsa mban veshur në këmbë një palë shapka e nxiton bashkë me këmbët e mezikomanduara t'u shpëtojë makinave që ikin rrufe.

Por mund ta takosh edhe në një nga këto ditë të ngrohta pranvere, tek ndihet pak më i motivuar. Me kapelen e errët, kostumin që i varet tek supet, dhe sytë që i ka gjithmonë të përlotur, u shfaq edhe atë mesditë në një sallë në Muzeun Historik Kombëtar, para dhjetëra kamerave e aparatëve fotografikë. Para shumë njerëzve që ishin mbledhur për librin e tij të fundit. Librin që e ktheu te lexuesit. Pas dhjetëra përjetimesh, me cigaren që s'e lëshon kurrë nga gishtërinjtë, pas dhjetëra shënimesh në kapakët e librave të tij, i gjen forcat të pranojë një ftesë. Një kafe dhe një bisedë…"Po si jo, e si mund t'ju refuzoj", thotë…. Dhe vjen dhe flet … dhe të rrëqeth me historitë që tregon, me braktisjen e madhe që nuk e lë të marrë frymë…
 
Ky libër vjen pas një kohe të gjatë heshtjeje. Çfarë sensacionesh ngjall te ju?
Kam botuar në 1990, që ne gabimisht e quajmë demokraci. Unë kam qenë në burg kur u bë mbledhja e Moskës. Dhe të burgosurit i marrin informacionet shumë më mirë e më shpejt sesa njerëzit që janë jashtë. Unë e dija ç'po ndodhte. Ndaj shkruajta atë libër që të gjithëve iu dukej i çuditshëm, "Erdhi ora të vdes përsëri". Deri asokohe ai ka qenë libri im më i mirë.
 
Ç'doni të thoni me "… të vdes përsëri"?
Të vdes përsëri, sepse unë e kuptova se do të goditem përsëri, siç edhe ngjau, deri në këto momente. Sepse komunizmi do të kthehej sërish e do të më godiste prapë. Dhe unë rilindës që në origjinë. Nëna ime ishte bijë princërish. Unë antikomunist i vjetër. Kur erdhi dita e votimeve të para pas '90-s, ishte ende Ramiz Alia, nëna ime që ishte goditur nga një hemoragji cerebrale në tru, donte të votonte. Dhe nuk donte askënd pranë. Dua vetëm Rikun thoshte, kështu më thërriste. Dhe më tha: "Bir, shkruaj ti, se nuk mundem". Dhe kur e pyeta: "Për kë do të votosh", më tha: "Për Partinë e Punës". "Po pse?". "Sepse i kam hyp atij kali", më tha. "E të njëjtën gjë duhet të bësh edhe ti…". Dhe unë mbeta i tillë, antikomunist.
 
Këtë vëllim të fundit e keni titulluar "Në vetmi". A është në vetmi Frederik Rreshpja?
Para dy ditësh shkruajta një vjershë. "Sonte kam festë sonte pres miq Dita e Shëngjergjit të gjitha i kam bërë vetë asnjeri s'troket te porta Tani pi vetëm dhe them: miqtë nuk po vijnë, atëherë kush do të më tradhtojë?". Sepse e kam parë që nuk kam më miq nga ata që kam pasur dikur. Më parë kam qenë njeri i hapur, gazmor, me shumë para, isha simpatik, i ri, i fuqishëm, njeri me emër… Kam pasur shumë miq, gjysmën e Shqipërisë. Ja, këta liderët dikur ishin miqtë e mi… Nuk e di pse i humba këta miq?
 
Nga një varg në tjetrin vërehet se ka shumë stacione në këtë libër, që nga vëllimet e para e deri te krijimet e fundit. A do të doje të ndaloje tani në ndonjërin prej tyre…?
Aty është një kapitull kushtuar nënës. Ajo ka qenë një grua e papërsëritshme, e gjatë, e bukur, energjike, e zgjuar. Ime zonjë ishte bijë princërish, ishte familje e mirë, më ka lënë shumë para… Kur vdiq, unë ika nga Shkodra e erdha në Tiranë. Kam marrë me vete trasta me florinj, jo me para bankënote, megjithëse gjithçka ma morën… nuk qeshë i zoti t'i mbaja… më helmuan, u sëmura… por këto janë gjëra që nuk është mirë t'i përmend.
 
Por mund të rrëfeni diçka, sidoqoftë, për sëmundjen tuaj…?
Kalova hemorragji cerebrale, kam qenë shumë i sëmurë… por çuditërisht kam jetuar deri më tani. Planet e Perëndisë. Kurrë s'mund ta kisha menduar se do të jetoja deri më tani. Kur më ra herën e fundit në 2000-shin iskemia cerebrale, kam ndenjur disa orë në një klinikë dhe kur u zgjova, ndieja dhimbje stomaku. Se unë kam ulçera, dy ulçera. Iu kërkova sodë buke, por nuk më dhanë. "Nuk ka sodë buke", më thanë. "Po si nuk ka?", i pyeta… "Është spital këtu…". "Po punë e madhe", iu thashë, "unë kam qenë edhe në luftë dhe kishte sodë buke". Pastaj shkuan dhe i thanë drejtorit të spitalit. Isha në spitalin nr. 5. Ai vetëm erdhi e më tha: "Shpëtove". "Si shpëtova ... do të vdes?". "Jo", më tha. "Po ç'dreq shpëtimi është ky", ia ktheva, "unë jam gati i paralizuar…".

Më ka ndodhur pra, fatkeqësia më e madhe që mund t'i ndodhë një shkrimtari. Unë nuk mund të shkruaj nga paraliza, por edhe atë që e shkruaj, nuk mund ta lexoj, është e pakuptueshme…
 
Thonë se ju shkruani shumë, por edhe zhdukni shumë nga ato çfarë shkruani. Sa nga krijimtaria juaj i keni shkruar vetëm për vete, dhe i keni grisur…?
Shumë. Tërë jetën kështu kam bërë. Unë kështu shkruaj. Ulem të shkruaj…tre, katër, pesë… Pastaj të nesërmen i ripunoj prapë. Unë i ripunoj shumë, nisem nga ajo që ka thënë Çehovi: "Arti i të shkruarit është arti i të shkurtuarit".
 
Një kritik është shprehur për ju: "… vetë Rreshpja është një poezi e mrekullueshme … çdo gjë tek ai është poezi …". Çfarë do të thotë poezi për ju?
Kur kam qenë fëmijë i vogël, e shihja veten me çudi. Nuk isha si të tjerët (qan… hesht për njëfarë kohe e pastaj me zërin që i dridhet tregon një histori). Mbaj mend njëherë, më ngordhi një mace. E varrosa. I bëra të gjitha nderimet. "Paj", më tha nëna, "çfarë bën kështu!?". "Po i bëj varrimin", i thashë. "Po macja nuk është e krishterë", më tha. "Mirë…", i thashë, "po unë kështu e ndiej". "E ke gabim", më tha. "Mirë…", ia ktheva. "Po je ndryshe, mor bir, ti s'vlen për asgjë", më tha, "vetëm me shkru vjersha. Kështu je ti, kështu je ndërtuar". Heshti pak dhe pastaj më tha: "Por unë e kam ditur këtë. Ma ka thënë ime zonjë…".

Po më fliste për gjyshen time. Ajo ka pasur një emër latin, Kaj quhej. Ajo ka vdekur shumë e re. Ka qenë shumë e bukur. Në Vatikan kam parë portretin e saj. Një piktor italian kishte ardhur në Shqipëri dhe kishte kërkuar femrën më të bukur për të bërë një Zonjë të Bekuar, dhe kishte pikturuar gjyshen time. Ajo kishte zakon: iu këndonte fëmijëve vjersha. Dhe i kishte thënë nënës sime: "Do të të lindë një djalë, që do më ngjasojë mua. Atij do t'i lësh gjithçka të familjes sonë. Ai do të jetë i zgjuar, por fatkeq si unë…" Dhe ashtu qeshë unë, fatkeq…
 
Çfarë keni fituar nga kjo jetë?
Asgjë… Ishte një udhëtim i kotë. Perëndia ka hyrë në gjynah që ka krijuar njerëzit. Shën Agustini thotë: Perëndia i ka krijuar njerëzit për t'i vënë në provë. Ata që janë njerëz të mirë, t'i marrë në qiell. Por s'besoj të ketë një Zot, dhe ai të jetë egoist. Asgjë, pra. Mua nuk më lidh më asgjë me jetën.
 
Më kujtuat poezinë "Sidoqoftë"?
Po… Aty them: "Sidoqoftë ky mëngjes do më vdesë ndër duar./ Sidoqoftë, njerëzit do ta shpikin disi një mëngjes,/ Ashtu siç kanë shpikur detet, yjet, shiun/ dhe shumë gjëra që nuk ekzistojnë… Sidoqoftë, unë mund të shkruaj lirika moderne,/ por tani është tepër vonë të shpik gjëra që nuk ekzistojnë,/ si për shembull lumturia,/ apo fëmijë të bukur, shira lulesh e gjëra të tilla… Tani unë e di se nuk do të jetoj shumë… dhe dua të mos jetoj shumë, se nuk mund të duroj më… të vdes si i mallkuar. Tërë jetën kam vuajtur. Si bëra asgjë kurrkujt. Por më vjen keq, se unë duhet ende të punoja, prapë, e prapë ... E di se nuk e kam përfunduar misionin tim në jetë …
 
Cili është misioni juaj në jetë?
Të shkruaj poezi të vërtetë, me një thelb të mirë, që t'u jap mundësi fëmijëve tanë të thonë pas 50 vjetësh: "Edhe ne kemi pasur poetë". Dhe ne, sot, mund të mburremi me "Milosaon", por jo me ndonjë vepër tjetër në poezi.
 
Megjithatë, kritikët janë shprehur me vlerësime të larta për poezinë tuaj…
Vetëm ata që më duan. Por unë e ndiej se nuk është tamam kështu …
 
Do të vazhdoni të shkruani?
Pa dyshim. Unë punoj rregullisht, çdo ditë …
 
"Lora, loti i poezisë time"
 
Historia e një dashurie të pamundur
 
Kur flet për të, vetëm qan. Thotë se është dashuria e madhe e jetës së tij, dashuri që i ka dhembur deri në palcë. "E kam dashur se më deshi shumë. Pas nënës ajo më ka dashur më shumë në këtë botë". E quanin Lora. Vetëm për të dhe për nënën qan e dridhet pafund sa herë flet. Por në historinë e asaj gruaje fijet ngatërrohen shumë herë. Me të pati një djalë që sot nuk e di ku është.

Ai, në fakt, vetë ka shumë zona të errëta në kujtimet e tij për këtë histori. Por vlen ta dëgjosh, sidomos ta dëgjosh e të prekësh emocionet e pafund që e kaplojnë kur flet për të. "Ajo ka qenë vajza e një oficeri të lartë të Sigurimit. Fati na solli në një klasë. Unë kam qenë gjithmonë i pari i shkollës. Ajo më deshi mua … (Ndalon. Zëri i dridhet sërish e përlotet). Ma sollën një ditë në bankën time. I thashë: "Si erdhe këtu?". Dhe më foli me një zë çapkëneje: "Mësuesja më tha, ai është ma i urti i të gjithëve…". "Ku e ke shtëpinë", më pyeti. Dhe ia tregova. "Po aty rri unë", më tha. "Po ti rri në shtëpitë e mia me qira", i thashë, "e kanë sjellë babanë tënd me dhunë aty. Ai s'e paguan as qiranë…". Kështu nis t'i rrëfejë dialogjet e para me këtë vajzë që erdhi në jetën e tij krejt rastësisht. "Kjo ka ngjarë në klasë të shtatë.

Duke shkuar rrugës ajo më ngacmonte, bënte lojëra… "Të vij sonte tek ti?", më tha. "Ç'do të bësh ti tek unë… mos o Zot… na vret babai", i thashë. "Po unë të dua", më tha. "Ç'janë këto fjalë", ia ktheva. "Nuk duhet të flasësh kështu, ti je vajzë, e i bie të bëhesh rrugaçe kështu… Pastaj, unë jam njeri shumë i ndershëm, këtë edukatë kam, jam katolik…". Po nuk më shqitej ajo. Kurrë.. Arriti të më vinte në shtëpi, derisa një ditë e kuptoi i ati dhe dha porosi që ta vrisnin, mjekët… "Nuk më duhet ajo vajzë, që lidhet me një armik…". Na ndanë, megjithëse unë s'kisha bërë asgjë, nuk isha armik… asgjë nuk kisha bërë. Pastaj më vonë, nëna ime duke vdekur më tha diçka. Nuk di sa duhej ta besoja. Ajo kishte kaluar dy hemorragji celebrale në tru. Por më tha: "Djali të lindi. E quajta me emrin tënd, Frederik".

Djali u rrit u bë burrë. E çuan në shkollë për oficer sigurimi. Një ditë erdh e më tha: "A ka një Frederik tjetër?". "Po", i thashë. "Është Frederik Rreshpja, babai yt". "Po ku është ai", i kishte thën time zonje… "Është në Burrel, në burg…". "Po unë i kam thyer këmbën atij, e kam rrahur… Po qe kështu, atëherë unë do të vras veten…". Kështu ma tha ime zonjë, po nuk di sa duhet ta besoj. Tani pyes të tjerët. Më thonë shumë gjëra për atë fëmijë…që e kanë rritur derisa është bërë 7-8 vjeç, por ka ikur…më kanë thënë se ka ikur në Kinë… nuk e di… Por Lorën e kam dashur, sepse më donte shumë, më donte mbi çdo njeri…"


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?