1 vit nga 25 prilli/ Andoni: Jemi popull pa memorie! Politika po e zhvendos vëmendjen te presidenti i ri! Ngjela: Mazhoranca në apati se s’ka opozitë

25 Prill 2022, 16:07| Përditesimi: 25 Prill 2022, 16:33

  • Share

TIRANË- 365 ditë më parë, Partia Socialiste u votëbesua me një mandat të tretë, me një fushatë të përqendruar kryesisht tek arsyet se përse nuk duhej votuar Partia Demokratike dhe premtime për t’u mbajtur brenda këtij 4-vjeçari.

Por, një vit më pas, çfarë ka arritur të përmbushë qeveria Rama 3?

Për Analistin Ben Andoni, populli ka kujtesë të shkurtër, nuk kërkon llogari, ndërsa politika nga ana e saj e zhvendos vëmendjen me qëllim.

"25 prilli është harruar akuzat e Bashës kanë kaluar, nuk I kujton më asnjeri dhe tregon papjekurinë e politikës tonë që nuk i ndjekin kauzat. Politika shqiptare ka treguar që është larg emancipimit të plotë.  Politika ka dështuar në Premtimet e saj. Por shqetësimi i madh është që publikut nuk i bën përshtypje dhe nga ana tjetër Politika gjen kurajë që të vazhdojë të premtojë njësoj dhe ta çoji publikun në kanale kur po e manipulon mendjen e tyre. Shqetësimi më i madh është për të dy palët që ta zhvendosin vëmendjen e publikut drejt gjërave, për zgjedhjen e presidentit që nuk përbën ndonjë gjë interesante për publikun", tha Andoni. 

Për avokatin Spartak Ngjela, ndonëse një pjesë e premtimeve janë realizuar, kjo nuk është reflektuar në zhvillim.

“Ka realizuar premtimet, por a e ka futur Shqipërinë në zhvillim?Ato që ka thënë ndoshta i ka realizuar më shumë se gjysmat por nuk ka optikë të saktë për tregun dhe zhvillimin ekonomik.  Është një e metë që ka Shqipëria sot", tha Ngjela. 

Dhe për këtë, avokat Ngjela fajëson opozitën.

"Sa herë s’ka opozitë nuk ka zhvillim, sepse mazhoranca bie në apati.  Ai është kryetari i PS, Rama, kemi një defekt madh se sot kemi vetë  një parti. Partia tjetër është në krizë drejt shpërbërjes, prej Saliut,  kuptohet. Por ai e ka në favor. Fakti që e ka në favor dhe Shqipëria ka këtë opozitë këtyre u heq impenjimin", tha avokati. 

Qeveria ka realizuar deri më tani pjesërisht rritjen e pagës minimale, heqjen e tatimit për pagat deri në 40 mijë lekë, ulje të tatimit për paga mbi këtë shifër, por ende nuk ka vendim për rritje deri në 30% të pagave në administratë dhe 40% në shëndetësi e arsim. Disa prej premtimeve që lidhen me infrastrukturën dhe rritjen e mëtejshme të pagave kanë afat realizimi deri në vitin 2025, ndërsa ende qeveria Rama 3 nuk ka arritur të lëshjë në hapësirë satelitët Albania 1 dhe Albania 2, për të cilat kishte afat deri në muajin mars.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?