1 mld lekë në dispozicion për kreditë në bujqësi, kushtet vendosen në shkurt! Biznesi: Interes jo më i lartë se 3%! Agrobiznesi: Këstet të paguhen pas shitjes së prodhimit

1 Shkurt 2022, 13:56| Përditesimi: 1 Shkurt 2022, 14:07

  • Share

Ministria e Bujqësisë ka nisur konsultimet me bankat dhe fermerët për të përcaktuar kriteret e garancisë sovrane prej 1 miliardë lekësh që do të jepet për bujqësinë. Brenda këtij muaji do të bëhen të ditura edhe afatet se kur do të hyjë në fuqi kjo skemë, ndërsa bankat do të përcaktojnë normën e interesit.

Shteti, do të marrë përsipër 50% të riskut që kanë bankat kur i japin kredi fermerëve. Për kryetarin e shoqatës "Për mbrojtjen e konsumatorit dhe prodhuesve vendorë", Ervin Resuli norma e interesit nuk duhet ta kalojë 3%.

“Bankat do të vendosin interesat dhe nëse ato janë më shumë se 1-2 apo 3% maksimumi nuk besoj se bujqësia dhe blegtoria do të përfitojnë. Nëse do jenë këto norma interesi do të jetë një ndihmë, por nëse do të ketë kushte të mëdha nga bankat nuk besoj se ka për të funksionuar, dhe s’do të përfitojnë këto biznese.”, tha për Report TV, Ervin Resuli kryetar i shoqatës "Për mbrojtjen e konsumatorit dhe prodhuesve vendorë".

Ndërsa kryetari i Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj thotë se pjesë e kësaj skeme mbështetëse, duhet të jenë edhe institucionet jo banka. Ai propozon që këstet e kredisë të paguhen në periudhën e shitjes së prodhimit.

“Garancinë sovrane duhet të përdorin edhe Shoqëritë e Mikrofinancës të Kursim Kredisë se bashku me bankat, të mos jenë vetëm bankat. Interesat e kredive me garanci sovrane duhet të jenë më të ulta se sa ato pa garanci sovrane. Këstet duhet të paguhen në periudhën e shitjes së prodhimit.”, shprehet Agim Rrapaj.

Fondi i garancisë sovrane prej 1 miliardë lekësh do të jetë në dispozicion të fermerëve dhe agro-përpunuesve, të cilët do investojnë jo vetëm në prodhim, përpunim apo paketim por edhe në shtimin e kapaciteteve të ndërmarrjeve të tyre.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?