Si asnjëherë më parë çelja e sezonit turistik në Vlore do zgjasë për një javë dhe do kulmojë me aktivitet sportive dhe kulturore.
“Në vite ishim mësuar se bëhej një çelje vetëm një ditore. Me një koncert muzikor ose diçka e tillë. Tani ne përgjatë një jave që çelin sezonin turistik kemi edhe sport, edhe teatër me festivale të ndryshme. Çdo natë ka nga një koncert, një DJ, një këngëtar të famshëm që do kulmojë me datën 10 që do jenë 4 artistë të mirënjohur shqiptar që do performojnë këtu ku jemi”, tha Klevis Kaso, zv/kryetar i Bashkisë Vlorë
Këtë vit Vlora është zgjedhur si qyteti Europian i Sportit dhe duke përfituar nga kjo mundësi, aktivitetet sportive do jenë kryefjala këtë javë në qytetin bregdetar.
“Do jenë sportet universitare, që do luajnë Beach Volley për të përcaktuar fituesit. Do ketë çifte nga të gjithë vendet ballkanike dhe dy çifte nga Italia. Përveç kësaj kemi Thriallon që bëhet për herë të parë në Lungomare. Do kemi ping-pong, cross country, do vrapojnë të gjithë fëmijët e shkollave në pyllin e Sodës. E gjithë vija bregdetare do i jetë përkushtuar sportit. Do kemi kampionatin kombëtar të tenisit me datë 11 dhe 12”, Kaso.
Aktivitet sportive dhe kulturore në Vlorë kanë nisur që me datën 7, ndërsa të premten e 10 majit në qytet do performojnë këngëtarë si Xhensila Myrtezaj, Elgit Dodaj dhe Bruno Pollogati.