Delina Ibrahimaj

Zvicra, 105 milionë franga Shqipërisë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reformat për shtetin ligjor

13 Maj 2022, 14:26| Përditesimi: 13 Maj 2022, 14:30

  • Share

105 milionë franga do të jetë ndihma Zvicerane për Shqipërinë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reformat për shtetin ligjor. Fondi do të jetë për periudhën 2022-2025, dhe do të mundësohet nga Programi i Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri.

Programi u bë publik në një aktivitet, ku merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj; Ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Adrian Maitre; Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Zvicerane, Patricia Danzi; Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministra të qeverisë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen që ka dhënë në vite dhe vazhdon të japë për Shqipërinë.

 “Mbështetja e partnerëve ndërkombëtare është e rëndësishme për të konsoliduar një kuadër të besueshëm makroekonomik, një mjedis të përmirësuar biznesi, miqësor me inovacionin, konkurrues e produktiv, si dhe që inkurajon punësimin e të rinjve. Të gjithë këto elementë do të shërbejnë që ekonomia në vijim të rritet në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, falë edhe bashkëpunimit publik – privat”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se Programi i Bashkëpunimit 2022-2025 nuk është vetëm një Strategji, por një dokument për të dy palët, për të çuar përpara projekte konkrete të cilat mbështesin reformat kryesore të qeverisë.

Ministrja shprehu besimin se prioritetet e këtij Programi kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë, zbatimin e reformave në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe sektorit privat, si dhe për progresin e Shqipërisë në arritjen dhe përmbushjen e standardeve dhe vlerave evropiane.

Gjatë periudhës 2022-2025, Shqipëria dhe Zvicra do të punojnë për orientimin e reformave dhe arritjen e rezultateve në katër fusha: qeverisje demokratike; zhvillim ekonomik i qëndrueshëm dhe punësim; shërbime infrastrukturore dhe ndryshimet klimaterike; dhe shëndetësi.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?