“Zonjushës Musine Kokalari”, zbulohen pjesë nga letërkëmbimi i Lasgush Poradecit me disidenten

8 Qershor, 14:46| Përditesimi: 8 Qershor, 15:10

  • Share

Në ambientet e qendrës memoriale "Muza ime", në Gjirokastër u organizua mbrëmja letrare kushtuar Lasgush Poradecit. Korespondenca mes poetit dhe disidentes Musine Kokalari, në vitet 1938-1940 ishte në fokus të këtij aktiviteti. E bija e poetit, Marie Poradeci dhe mbesa e disidentes, Arjeta Kokalari shpjeguan se në letrat që shkëmbenin me njëri-tjetrin diskutonin për botimet e reja por dhe jetën private. Asokohe Lasgushi interesohej të regjsitronte bashkëshorten në universitetin e Romës, ku studionte Musineja.

E bija, Marie Gasho Poradeci shprehet se “në leterkembimet e shumta me personalitete janë dhe ato me Musinene. Këto janë letra të viteve 1938-1940, kur Musine Kokalari ishte student në Rome, ishte shoqe me mamin tim dhe babi në atë kohë donte ta regjistronte mamin në universitet dhe i kërkonte ndihme Musinese. Në letrat e veta i drejtohej me shumë respekt. Më ka bërë përshtypje se gjithmonë i drejtohej “Zonjushës Musine Kokalari, e respektuar kolege”.

Më tej ajo shton se viti 2024 është shpallur viti i Lasgush Poradecit me rastin e 125 vjetorit të Lindjes, ndaj të gjitha letrat e tij po përgatiten për botim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

Ndërsa Arjeta Kokalari na tregon detaje të tjera të këtij leterkëmbimi. Asokohe Musineja i kërkonte Lasgushit një shënim kritik mbi librin e parë që kishte shkruar “Siç më thotë nënua plakë”.

“Unë jam e lumtur që e bëjmë nisjen e aktiviteteve në këtë muze me prezantimin e leterkembimit të Lasgushit me Musinenë. Veçoj letrat që kanë shkëmbyer për librin e parë, sepse Lasgushi ka qenë kritiku i parë i saj si shkruese e re. Dhe në përgjigjen që i kthen Musineja i thotë se “janë më të rëndësishme kritika se sa lavdërimet”, shprehet Arjeta Kokalari.

Muzeu "Muza Ime", kushtuar Musine Kokalarit u çel para dy javësh në Gjirokastër dhe tashmë pjesë e fondit të këtij muzeu do të jenë dhe dy letërkëmbime që e bija e Lasgushit ia dhuroi mbesës së Kokalarit.

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?