Dështon edhe raundi i dytë! Rama: Duhen 2 për të kërcyer tango! Alibeaj: Presidenti jo lojë shahu! Sot mblidhet Konferenca e Kryetarëve

23 Maj 2022, 07:34| Përditesimi: 24 Maj 2022, 07:51

  • Share

TIRANË- Të njëjtat akuza dhe të njëjtat argumente! Palët nuk kanë bërë asnjë hap para në negociata, duke bërë që të dështojë edhe raundi i dytë në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në përfundim të seancës plenare, tha se "duhen 2 për tango", duke lënë të kuptuar se nuk kanë një palë më të cilën negociojnë.

" Duhen 2 për tango, kështu që nuk mund të bëjmë tango vetëm, s'kemi partner", tha Rama.

Ai e bëri të qartë që deri në këtë fazë nuk kanë ende një emër, por do të presin deri në raundin e tretë.

"Do presim edhe raundin e tretë dhe pastaj do mblidhem me kryesinë e PS, me grupin parlamentar dhe pastaj do e sjellim një emër në kuvend", vijoi kryeministri.

Përgjigjja erdhi nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili tha se nuk duhet një president që të jetë i varur nga asnjë parti politike, por një kre i shtetit mbi të gjitha palët.

"S'ka nevojë për 2 për tango, se s'duhet të jetë një president për tango nga të 2, duhet një president mbi palët, president i shqiptarëve", tha Alibeaj.

Ai sqaroi edhe përse opozita refuzon që të japë një emër, duke akuzuar mazhorancën se ka shkelur dakordësinë e arritur më parë, ku sipas tij, ata duhet të propozonin, socialistët të përzgjidhnin dhe në fund dilnin me një emër të përbashkët.

"Në mënyrën më serioze, ne besuam që proces, rregulla, pastaj emra, është procesi që do jepte një emër, sipas kritereve që ne besuam, por nuk kemi çfarë t'i bëjmë njerëzve që i hanë fjalët", përfundoi kreu i grupit parlamentar. 

Ndonëse nuk ka asnjë kandidat për t’u votuar edhe raundi i dytë sipas Kushtetutës së Shqipërisë quhet i ezauruar për t’ia lënë vendin 3 raundeve të tjera. Vetëm një i tillë ka mbetur për ta zgjedhur Presidentin me shumicë të cilësuar 84 vota, ndërkohë që në të katërtin dhe të pesti Presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. 

Si zgjidhet presidenti i ri
10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike. Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Domethënë në rastin konkret maksimumi duhet të ishte data 24 maj, pasi mandati i Metës mbaron më 24 korrik.

Tashmë është koha e propozimit zyrtar të kandidaturave, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota. Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës maksimalisht në gjysmën e dytë të muajit qershor do të jetë i zgjedhur, duke qenë se data e fillimit të procesit është konsideruar data 10 maj. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate.

Ora 21:34
Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit dështoi, nesër mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Pasi dështoi raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit, pasi palët nuk dorëzuan asnjë kandidat, Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet nesër. Mbledhja do të zhvillohet në orën 14:30.

Ora 20:43
Alibeaj i përgjigjet Ramës: Nuk duam një President tangoje, të jetë dikush që pranohet nga të dyja palët

 

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se nuk kanë propozuar një emër për president, pasi sipas tij, mazhoranca nuk ka respektuat dakordësinë e arritur.

"S'ka nevojë për 2 për tango, se s'duhet të jetë një president për tango nga të 2, duhet një president mbi palët, president i shqiptarëve. Ne propozojmë, këta përzgjedhin, jo si lojë tango, por që ai/ajo, ç'rëndësi ka, të marrë mbështetjen e politikës, që nesër të mos e konsiderojnë vetes të njërës palë. Mënyra më e mirë është një proces i përbashkët, dhe hapi i fundit është pasi të identifikohet një president i gjithë pranuar mbi palët, secila palë duhet ta bashkëpropozojë jo si lojë shahu, kjo është formula, unë e di, nuk mund të bëhet eksperiment me presidentin e republikës. Në mënyrën më serioze, ne besuam që proces, rregulla, pastaj emra, është procesi që do jepte një emër, sipas kritereve që ne besuam, por nuk kemi çfarë t'i bëjmë njerëzve që i hanë fjalët. Mjeti ynë i vetëm është që të qëndrojmë te parimet", tha Alibeaj.

Ora 20:35
'Duhen 2 për tango', Rama: S'kemi një emër për presidentin e ri, do presim deri në raundin e tretë dhe pastaj mbledhim grupin e PS

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dështimit të seancës për presidentin e ri.

"Duhen 2 për tango, kështu që nuk mund të bëjmë tango vetëm, s'kemi partner. Merren me profilin ata që nuk merren me zgjidhjen, zgjidhja është një njeri që duhet të përmbys detyrimet që ne kemi karshi shqiptarëve për ta çliruar atë zyrë nga kthetrat e së shkuarës. Nuk e kemi vendosur, se po ta kishim bërë do e kishim shpallur dhe do prisnim për ta votuar, kemi dëgjuar të gjithë dhe lloj lloj cudish. Politika është dialog, shah dhe në të gjithë atë që politika është "fjala nuk kam besim prandaj po ikim në drejtim të paditur", nuk është politik. Kur kemi qenë opozitë, kemi pasir 2 zgjedhje, një kur nuk kishim vota, por të mjaftueshme për t'u ulur në tryezë dhe një tjetër kur sistemi ka qenë si sot dhe ne u ulëm, diskutuam dhe nuk ranë dakord, ata votuan këtë donin, ne nuk humbëm në atë proces, humbi, opozita nuk është për të imponuar. Do presim edhe raundin e tretë dhe pastaj do mblidhem me kryesinë e Ps, me grupin parlamentar dhe pastaj do e sjellim në kuvend nëj emër", tha Rama.

Ora 20:24
Palët asnjë propozim, dështon edhe raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të ri

 

Dështon edhe raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të ri.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?