Zbulohet një ‘fermë’ kriptomondhash në Shkodër, sekuestrohen 16 pajisje! Vihet në pranga 43-vjeçari, në kërkim një i ri

27 Maj 2022, 15:30| Përditesimi: 27 Maj 2022, 15:53

  • Share

SHKODËR- Në një magazinë në Shkodër janë gjetur dhe sekuestruar, 16 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Në kuadër të operacionit, ‘Avalon’ u arrestua 43-vjeçari, Elvis Mehja dhe u shpall në kërkim Jetmir Mehja. Po ashtu procedua penalisht në gjendje të lirë punonjësi i OSHEE-së, Fatjon Bengu.

Sipas policisë Jetmir Mehja, 21-vjeç, dyshohet se përdorte 16 pajisjet elektronike, të cilat shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave.

Jetmir Mehjan, banues në Shkodër, u shpall në kërkim për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”; “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, kryer në bashkëpunim; “Fshehja e të ardhurave”; “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.  

Gjithashtu, si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Elvis Mehja, 43 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, e kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Jetmir Mehja, kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit të kriptomonedhave virtuale.

Sakaq gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Elvis Mehja, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi Fatjon Bengu, 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ky shtetas ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?