Flamur Noka dhe Altin Dumani

Ylli Pata: SPAK dhe opozita, një marrëdhënie e komplikuar pa arsye

3 Shtator, 21:12| Përditesimi: 3 Shtator, 21:17

  • Share

Arma kryesore e opozitës së Sali Berishës por edhe më gjerë ndaj mazhorancës së Edi Ramës, është akuza për abuzim me fondet publike dhe sulmet për korrupsion.

Në qasjen publike, komentet në rrjetet sociale, apo videot e ndryshme, edhe kur sulmohen gazetarë që kritikojnë Sali Berishën, theksohet se po mbrojnë një pushtet të korruptuar.

Kjo qasje nuk është e re. Pasi gjithmonë kur Sali Berisha dhe partia e tij nuk ka qenë në pushtet, ka akuzuar kundërshtarët si të korruptuar, trafikantë droge, qëniesh njerëzore apo edhe akuza të tjera të tmerrshme.

Në vitin 2005, Sali Berisha vjen në pushtet me një slogan ku flitej për qeveri me duart e pastra.

Berisha premtoi se do të çonte në prokurori të gjithë korrupsionin e qeverisë 8 vjeçare të socialistëve 1997-2005. Por në të vërtetë, Berisha dhe qeveria e tij dërguan në prokurorinë e përgjithshme vetëm çikërrima. Asnjë akuzë e nivelit të lartë, sidomos ndaj qeveritarëve të lartë që u akuzuan ndër vite.

Madje mbahet mend takimi i Sali Berishës me Fatos Nanon në vitin 2007, një takim që konsistonte një aleancë fluide ndaj Edi Ramës, ku Berisha amnistoi publikisht akuzat që kishte hedhur ndaj ish-kryeministrit socialist. “Ishin akuza elektorale”, tha pak a shumë Berisha, duke relativizuar sulmet me retorikën politike.

Megjithatë, kjo nuk e pengoi Sali Berishën që të nisë një aksion për shkarkimin e Kryeprokurorit të atëhershëm të Republikës, Theodhori Sollaku. i cili ishte firmosur dërgimin në gjyq të dosjes së zhdukjes së Remzi Hoxhës. Dosje e hetuar në mënyrë profesionale nga prokurori i ndjerë Xhevat Hana. Proces, i cili nxori dhe akuzoi disa zyrtarë të lartë të SHIK-ut që më pas ishin pjesë e administartës së lartë, si pjesë e grupit që kishin rrëmbyer Remzi Hoxhën.

Berisha, i tërbuar nga nisja e këtij procesi, sulmoi edhe Presidentin e atëhrshëm të Republikës, Alfred Mosiu, i cili nuk pranoi të shkarkoi kryeprokurorin Sollaku. Mediat e Berishës e akuzuan kreun e shtetit se kishte favorizuar një kompani ajrore të një familjari të tij. Kompani që më pas u falimentua për të ardhur në fuqi një kompani e lidhur me pushtetin.

Në vitin 2007, kur Bamir Topi zgjidhet President i Republikës, ai shkarkon Theodhori Sollakun nga posti i Kryeprokurorit dhe emëron Ina Ramën. Por edhe me të Berisha nuk gjeti qetësi, sidomos kur nisën hetimet ndaj Damir Fazlliçit, abuzimet në rrugën Durrës Kukës, katastrofës së Gërdecit, e kulmi arriti me vrasjet e 21 janarit 2011.

Gjatë qeverisjes së PD-së, prokuroria ishte thuajse gjithmonë në konflikt me qeverinë sa herë që hetonte dosje në lidhje me zyrtarë të lartë. Berisha, si Theodhori Sollakun, ashtu edhe Ina Ramën i akuzonte se ishin vegla të Edi Ramës.

Ndërkaq, me hapjen e debatit për reformën në drejtësi, dihet kundërshtimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës për vettingun, mbikqyrjen e SHBA dhe BE-së, si dhe krijimin e SPAK.

Megjithatë, në historikun e hetimeve të nivelit të lartë të kryera nga SPAK, përkatësisht personazheve të larta të mazhorancës, kanë nisur nga denoncimet zyrtare të opozitës.

Kështu nisi në vitin 2021, një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, një material i firmosur nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ku siç dihet ndodhën arrestimet e Lefter Kokës e Alqi Bllakos. Më pas me radhë qoftë nga PD-ja apo edhe parti të tjerë të opozitës, kanë nisur hetimet për konçensionet në shëndetësi, apo edhe çështje të tjera.

Siç ka pasur edhe çështje që kanë nisur nga denoncime të kryera nga deputetë të mazhorancës, apo edhe gazetarë apo ish-deputetë. Kështu rasti i Klubit Partizani ka nisur siç dihet pas një ridenocnimi të Taulant Ballës në rolin e kreut të grupit parlamentar të PS-së. i cili në vitin 2016 drejtoi komisionin hetimor parlamentar për privatizimin e OSHE-së dhe në fund, u dërgua një material në prokurori.

Por ai material u konsiderua i “pa vlerë” nga Prokuroria e atëhrshme e Krimeve të Rënda, paraardhësja e SPAK, e cila kishte një varësi direkte nga Kryeprokurori, përkatësisht Adriatik Llalla.

Me mbarimin e afateve hetimore, dhe konstituimin e SPAK, Taulant Balla, e ridepozitoi dosjen tek prokuroria speciale kundër krimit e korrupsionit.

Por nëse bëhet një bilanc i dosjeve aktive të nisura nga prokuroria Speicale ndaj zyrtarëve të lartë, shumica e tyre kanë ardhur si indicje nga opozita.

Ka shumë gjasa që ky bilanc të jetë i rrallë edhe në përvojën rajonale apo europiane të funksionimit të një institucioni të pavarur.

Një fakt, që tregon se prokurorët e SPAK, të gjitha denoncimet e opozitës i kanë marrë seriozisht, e nga ato kanë nnxjerrë të dhëna që më pas janë kthyer në dosje hetimore.

Për një opozitë, nuk do të kishte një zhvillim më të favorshëm se kaq. Pasi krejt natyrshëm mund ta përdorë për kapital politik për të përfituar në zgjedhjet politike të radhës.

Mirëpo siç dihet, opozita, më konkretisht dy nga krerët e saj të rëndësishëm: Sali Berisha dhe Ilir Meta, si dhe enturazhi i tyre, e konsiderojnë fitore vetëm nëse prokurorët e SPAK do të ndjekin axhendën e tyre të arrestimeve apo edhe të akuzës.

Ndërkaq, në momentin që u hap dosja e klubit Partizani, një zhvillim i pritshëm, pasi denoncimi ishte depozituar prej kohësh, Berisha e konsideroi një persekutim politik. Duke ndaluar çdo marrëdhënie direkte me prokurorët, çka solli edhe arrestin në shtëpi, si masë pasojë e mos paraqitjes në detyrimin e caktuar nga Gjykata. Po ashtu edhe Ilir Meta, e konsideron persekutim një hetim ndaj tij e prej muajsh tashmë nuk lë gjë pa thënë për kreun e SPAK Altin Dumanin dhe prokurorët e tjerë.

Gjuhë që natyrisht ka reflektuar në debatin e paneleve ku mbështetës ose simpatizantë të opozitës kanë të njëjtën logjikë të matjes së punës së SPAK.

Një opozitë normale në çdo vend të botës do ta ndjente veten të bekuar që një institucion akuze ka marrë për bazë denoncimet e saj për të hapur hetimet ndaj kundërshtarët politikë.

Por tek ne kemi një panoramë absurd, të ndikuar thjesht e vetëm nga dosjet ndaj Sali Berishës e Ilir Metës. Një marrëdhënie që ka shërbyer thelbësisht në rënien deri në maksimum të besimit të Berishës e Metës nga njerëzit e rritjes në maksimum të besimit ndaj SPAK dhe kreut të tij. Edhe nga votuesit e opozitës. Ky është realisht zhvillimi më i rëndësishëm që do të sjellë në vijim pasoja edhe politike…

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?