Ursula Von der Leyen dhe Aleksandër Vuçiç

Von der Leyen takon Vuçiçin në Beograd: Serbia të përputhë politikën e saj të jashtme me atë të BE-së

25 Tetor, 17:51| Përditesimi: 25 Tetor, 17:59

  • Share

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, vizitoi këtë të premte (22 tetor 2024) Serbinë, në kuadër të turit të saj në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor

Von der Leyen, theksoi mbështetjen ndaj Serbisë, në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane, por i kërkoi presidentit Aleksandër Vuçiç që politika e jashtme e vendit të tij, të jetë e përputhur me atë të Bashkimit Europian.

“Evropa mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Serbisë. Në kohë konfliktesh, luftërash dhe trazirash, të qenit anëtar i Bashkimit Evropian është një premtim paqeje e begatie dhe është një premtim që ne mund ta realizojmë së bashku. Serbia është tashmë një nga vendet më të përparuara në procesin e anëtarësimit. Ju keni treguar se mund të përmbushni standardet e nevojshme”, tha Von der Leyen në Beograd.

Edhe presidenti serb tha se e ardhmja e vendit të tij është në Bashkimin Evropian, një synim i palëkundur ndër vite. Sipas tij, çështja me Kosovën është një pengesë në rrugën evropiane.

“I fitova zgjedhjet dy herë duke u thënë njerëzve se jemi në rrugën evropiane dhe duke u thënë njerëzve se jemi në marrëdhënie të mira me të tjerët... Nuk është e lehtë të jesh në këpucët tona për shkak të Kosovës dhe gjithçkaje tjetër, por ne do të bëjmë çmos për të përshpejtuar rrugën evropiane”, tha ai.

Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian prej vitit 2012. Ajo filloi negociatat e anëtarësimit në janar 2014, por prej dhjetorit 2021, nuk ka hapur asnjë kapitull.

Vendeve kandidate u kërkohet të përputhin politikën e tyre të Jashtme dhe të Sigurisë me ato të unionit, pasi në momentin e anëtarësimit në BE, harmonizimi duhet të jetë i plotë.

Nesër (26 tetor 2024) presidentja e Komisionit Europian pritet të udhëtojë drejt Kosovës., ku do të takohet me krerët e lartë të shtetit.

K.M/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?