Vlorë- Agjentët e Antidrogës finalizuan dy aksione njëri pas tjetrit orët e fundit, duke njoftuar sot (15 Shtator) arrestimin e 2 personave për posedim lëndësh narkotike, mes të cilëve një shtetas italian.
Policia e Vlorës bëri me dije se E. D., 24 vjeç, banues në Itali, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në aksin rrugor Ksamil-Sarandë, iu gjetën nga shërbimet dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike kokainë dhe kanabis.
Kurse 21-vjeçarit me inicialet V. K., banues në Sarandë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar, iu gjetën po ashtu një sasi lënde narkotike kokainë dhe kanabis, por pa u deklaruar pesha e saj.
Edhe Seksioni i Policisë Rrugore në Sarandë arrestoi shtetasin V. M., 35 vjeç, banues në Spanjë, pasi është konstatuar në rrugën “Butrinti”, në Ksamil, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Kurse Rrugorja e Vlorës nisi procedimin penal ndaj E. H., 46 vjeç, banues në fshatin Dukat, pasi më datë 14 Shtator, në aksin rrugor Vlorë-Orikum, duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar këmbësoren shtetasen V. S., 60 vjeçe, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.