Albert Spiro

Probleme me pasurinë, KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit të Vlorës, Albert Spiro

5 Qershor, 19:10| Përditesimi: 5 Qershor, 19:49

  • Share

Komisioni i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Vlorës, Albert Spiro.

Komisioni i Posaçëm i Apelimit i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit marrë në 12 korrik 2021 për shkarkimin nga detyra të Albert Spiros.

Albert Spiro u shkarkua pasi kishte probleme me pasurinë.

'Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 67/2021, datë 09.11.2021, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Albert Spiro kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 419, datë 12.07.2021.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 419, datë 12.07.2021 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Albert Spiro. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, më datë 05.06.2024.’- njofton KPA.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të mërkurën më 7 korrik 2021, Spiro u përball me barrë prove në kriterin e pasurisë, ndërsa iu kërkuan shpjegime edhe mbi çështje të lidhura me profesionalizmin.

Ai u pyet nga trupi gjykues mbi shitjen e një apartamenti dhe blerjen e dy të tjerëve, ndërsa Komisioni vuri në dukje mungesë burimesh që lidheshin me një hua; si dhe u evindentuan dy kontrata kontradiktore shitjeje dhe mosdeklarimi i pakësimeve në gjendjen cash në vite – gjetje të cilat u kundërshtuan nga subjekti.

Albert Spiro e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtar në Gjykatën e Tepelenës. Prej vitit 2006, ai e ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?