Vendosja përpara drejtësisë e të kërkuarve ndërkombëtarisht, Rrumbullaku takohet me presidentin e Interpol! Rritje e bashkëpunimit për të luftuar krimin e organizuar

14 Qershor, 12:06| Përditesimi: 14 Qershor, 12:12

  • Share

Interpol ka ofruar bashkëpunim lidhur me vendosjen përpara drejtësisë të personave të kërkuar ndërkombëtarisht.

Policia e Shtetit dhe INTERPOL-i ranë dakord të rrisin bashkëpunimin dhe programet e përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar ndërshtetëror në të gjitha format e tij, në të gjithë rajonin dhe më gjerë.

Kjo u bë e ditur nga takimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, i cili priti sot në një takim Presidentin e INTERPOL-it, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi.

Në mënyrë të veçantë, Rrumbullaku nënvizoi bashkëpunimin shumë të mirë mes Policisë së Shtetit dhe INTERPOL-it, ndërsa shtoi se, për Policinë e Shtetit është prioritet shumë i rëndësishëm dorëzimi në duart e drejtësisë i personave të kërkuar për krime të rënda dhe me rrezikshmëri të lartë, si për Shqipërinë, ashtu edhe për vendet ku ata strehohen.

“Ky bashkëpunim, i konsoliduar në shkëmbim informacioni në kohë shumë të shpejtë dhe operacione të përbashkëta, duhet të shkojë edhe më tej, duke u fokusuar edhe në përpjekjen madhore të Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë për vendosjen para drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar”, u shpreh Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit.

Nga ana tjetër, presidenti i INTERPOL-it, Gjeneral Major Ahmed Naser Al-Raisi, duke nënvizuar organizimin e shkëlqyer dhe suksesin e Konferencës së 51-të Rajonale të INTERPOL-it për Europën, që zhvilloi punimet në Tiranë, vlerësoi arritjet e Policisë së Shtetit Shqiptar dhe energjinë, angazhimin e profesionalizmin e saj. Ai u shpreh se, bashkëpunimi, ndërveprimi dhe shkëmbimi intensiv i informacioneve, si në aspektin dypalësh dhe në atë shumëpalësh, do të ndihmojnë së tepërmi në vendosjen përpara drejtësisë të personave të kërkuar ndërkombëtarisht.

 

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi kërkon që Greqia të heqë ligjin e luftës, si e vlerësoni?