Vendgrumbullimi në Tepelenë emergjencë mjedisore, mbi 10 ton plehra depozitohen pranë shtratit të Vjosës

23 Maj 2022, 21:56| Përditesimi: 23 Maj 2022, 22:04

  • Share

Mbi 10 ton mbetje urbane të Tepelenës dhe fshatrave depozitohen çdo ditë pranë shtratit të Vjosës.

"Ne i depozitojmë me atë metodën e vjetër të përpunimit të mbetjeve duke hapur gropa 50 cm me 50 cm ose 100 cm me 100 cm kemi dy mjete teknologjike që bëjnë transportimin. Qytetet kanë më shumë mbetje por edhe fshatrat. Në total 10 ton në ditë. Ky vendgrumbullim është hapur me vendim të këshillit bashkiak në 1994, aktualisht sipërfaqja 5 mijë metra katrorë", tha Dasho Mati.

Shishe qelqi, bidonë plastikë, qese që përhapen kur rrjedha fryhet gjatë dimrit, ndërsa mbeturinat shpërndahen deri në grykëderdhjen e Vjosës e më tutje në det duke shkaktuar ndotje të lartë. Vendgrumbullimi i mbetjeve me sipërfaqe 5 mijë metra katrorë është një shesh i hapur ku kullosin derrat, duke u bërë burim për përhapjen e infeksioneve. Bashkia e Tepelenës që menaxhon këtë fushë mbetjesh thotë se nuk e dëmton lumin por pamjet tregojnë të kundërtën.

"Kjo është një teknologji jo fort e mirë nuk e di sa e dëmton por mendoj se nuk e dëmton se vendi është me zhavorr që filtron thellë por nuk mund të themi se është teknologjia e fundit", tha Dasho Mati.

Zgjidhja duket se është ende larg! Drejtori i Agjencisë së Shërbimeve publike pranë bashkisë shprehet se Ministria e Mjedisit ka premtuar ndërtimin e një landfilli rajonal, por nuk ka një datë se kur do të nisë zbatimi.

"Na janë ofruar projekte nga ministria e mjedisit dhe nga këto kompetitorët dhe është një projekt gati në rang qarku", tha Dasho Mati.

 Emergjenca mjedisore është e njëjtë dhe në Përmet e Këlcyrë, bashki këto që depozitojnë mbetjet në rrjedhjen e Vjosës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?