Të burgosurit ukrainas të luftës pas shkëmbimit me Rusinë

Ukraina siguron kthimin e 49 të burgosurve të luftës në një shkëmbim me Rusinë

13 Shtator, 15:43| Përditesimi: 13 Shtator, 15:47

  • Share

Ukraina ka siguruar lirimin e 49 personave që po mbaheshin nga Rusia në një shkëmbim të ri të burgosurish me Moskën, njoftoi të premten Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.

Shkëmbim u mundësua me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe, tha një zëdhënës i agjencisë ushtarake të zbulimit të Ukrainës.

“Një kthim tjetër i njerëzve tanë – një objektiv i përhershëm i yni për të cilin ne punojmë pa pushim për ta realizuar... Duhet t’i sjellim në shtëpi të gjithë njerëzit tanë, ushtarë e civilë”, tha Presidenti Zelenskyy në një postim në platformën sociale X, ndërkohë që njoftoi për shkëmbimin e 56 personave me Rusinë.

Shefi i kabinetit të zotit Zelenskyy, Andriy Yermak tha në platformën Telegram se në mesin e ukrainasve të liruar ishin shtatë civilë si dhe pjesëtarë të forcave të armatosura, të gardës kombëtare, policisë si dhe pjesëtarë të shërbimit kufitar.

Ukraina nuk njoftoi se sa shtetas rusë janë liruar. Moska ende nuk ka komentuar për këtë shkëmbim.

Pamjet nga një vend i paidentifikuar, të publikuara nga Ukraina tregonin pjesëtarët e forcave të sigurisë që po priteshin me buqeta lulesh, përqafime dhe parulla ku shkruhej: Ju faleminderit që qëndruat.”

Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer shpesh të burgosur që kur Rusia sulmoi Ukrainën. Shkëmbimi i të premtes është i dyti që kur Ukraina nisi sulmin e ndërkufitar në rajonin rus të Kurskut në fillim të gushtit.

Ukraina thotë se ka rrëmbyer të paktën 600 ushtarë rusë gjatë këtij operacioni dhe se përmes tyre do të sigurojë kthimin e ukrainasve të kapur nga forcat ruse.

Zoti Yermak tha se disa nga ukrainasit e liruar kishin qenë pjesë e forcave që kanë mbrojtur Mariupolin dhe fabrikën e çelikut Azovstal në portin jugor, skenë e luftimeve të ashpra dhe që tani është pushtuar nga forcat ruse.

Avokati i Popullit i Ukrainës, Dmytro Lubinets tha se deri më tani Ukraina ka siguruar kthimin e 3,569 personave që po mbaheshin nga Rusia që nga fillimi i luftës./VOA

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?