Shqipëria U-19 luajti sot ndeshjen e parë miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Turqisë. Në takimin e luajtur në Izmir të Turqi, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj u mposhtën me rezultatin minimal 1-0.
Tekniku shqiptar hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amarildo Dervishaj (GK), Antonis Dhama, Fabjan Perndreca, Denis Prendi, Adi Kurti (c), Kledi Marinaj, Dejvi Metaj, Frederik Tosku, Flavio Sulejmani, Dean Vranici, Briajan Gjyla.
Ndeshja nisi e barabartë, teksa të dyja skuadrat u treguan të kujdesshme në prapavijë për të shmangur çdo rrezik. Pjesa e parë nuk prodhoi asnjë gol dhe u mbyll në barazim 0-0.
Në fraksionin e dytë Turqia gjeti golin në minutën e 53-të. Reagimi i Shqipërisë ishte i menjëhershëm dhe kuqezinjtë krijuan disa raste të mira shënimi me Arifin, Boden, dhe Sulejmanin, ndërsa në fundin e takimit Nuredini humbi mundësinë e artë për të barazuar takimin. I vetëm me portierin goditja e tij përfundoi jashtë. Në fund ndeshja u mbyll 1-0 për Turqinë U-19.
Pas dy ditësh, Kombëtarja U-19 do të zbresë sërish në fushë ku do të luajë takimin e radhës miqësor me Turqinë, po në orën 16:00.
Miqësoret janë një mundësi e mirë për grupin U-19 të kuqezinve për të kolauduar skuadrën në kuadër të impenjimeve në kualifikueset e Europianit “Rumani 2025” për këtë grupmoshë që do të luhen në vendin tonë në muajin nëntor. Shqipëria është pjesë e Grupit 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën “Elite Round”.
S.DH/ReportTv.al