Ministri Petrit Malaj gjatë prezantimit të kreut të ri të Tatimeve, Ilir Binaj

U emërua nga Qeveria, ministri i Financave prezanton kreun e ri të Tatimeve! Malaj: Prioritet përsosja e performancës! Binaj: Luftë evazionit fiskal dhe informalitetit

4 Tetor, 12:48| Përditesimi: 4 Tetor, 12:57

  • Share

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar ditën e sotme (4 Tetor) drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, i emëruar pas mbledhjes së fundit të Qeverisë, më 2 Tetor.

Gjatë fjalës së tij, kreu i dikasterit tha se Administrata Tatimore ka nevojë për një qasje të re menaxheriale, veçanërisht në kuadër të proceseve integruese.

“Prioritet i punës do të jetë jo vetëm përsosja e performancës, cilësia e shërbimeve ndaj tatimpaguesve, por edhe garantimi i zbatimit me sukses i Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027, që do të shërbejë si një udhërrëfyes për miradministrimin fiskal dhe rritjen e të ardhurave”, tha ministri.

Malaj i shprehu dhe mirënjohjen drejtoreshës së Komanduar, Elidjana Çela, e cila do të vijojë tashmë të mbajë detyrën e Drejtoreshës së Tatimpaguesve të Mëdhenj, për “përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë ushtrimit të detyrës”.

Drejtori i ri i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, vlerësoi “besimin e dhënë” dhe kërkoi “angazhim të shtuar sa i përket përmirësimit administrativ, luftës kundër evazionit fiskal dhe informalitetit”.

Binaj ka një karrierë të spikatur akademike dhe profesionale në fushën e Kontabiltetit. Ai është anëtar i Institutit Amerikan të Kontabilistit Publik të Certifikuar (AICPA), anëtar i Institutit të Audituesve të Brendshëm (IIA), Kontabilist i Certifikuar Publik (CPA) në Kaliforni, Kontabilist i Certifikuar Global i Menaxhimit (CGMA) në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ekspert i Autorizuar i Kontabilitetit (EKR) në Shqipëri.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni sulmet ndaj kreut të SPAK, Dumani, e drejtësisë së re?