Tregu i apartamenteve/ Të etur për prona, bum shitjesh të pasurive të paluajtshme! INSTAT: Në 6 muaj u shitën prona me vlerë 58 mld lekë

13 Tetor, 17:34| Përditesimi: 13 Tetor, 17:39

  • Share

Tiranë- Po shiten më pak apartamente, por me çmim shumë më të lartë se vjet. Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë dhe të dhënat e INSTAT për transaksionet tregojnë se tregu i pasurive të paluajtshme vijon të tërheqë qytetarë, biznese e shtetas të huaj, pavarësisht çmimeve që vetëm rriten.

Përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, transaksionet e pasurive të paluajtshme kanë arritur në shifra rekord. Sipas INSTAT, nga janari deri në fund të muajit qershor transaksionet në këtë sektor arritën në vlerën 58.4 miliardë lekë, duke u rritur me 2.7 miliardë lekë krahasuar me të njëjtin gjashtëmujor të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër po për këtë periudhë Banka e Shqipërisë ka raportuar për ngadalësim të shitjeve, pasi agjentët e anketuar kishin deklaruar më pak shitje se vjet. Praktikisht këto dy raporte tregojnë se po shiten më pak prona por me çmime të larta, dhe për pasojë edhe vlera e transaksioneve është në rritje të shpejtë. Vetëm gjatë kësaj periudhe të parë të vitit çmimet u rritën me 23.5%, krahasuar me vjet.

Një tjetër faktor që shton volumin e transaksioneve në këtë industri janë edhe shtetasit e huaj, që blejnë pa negociuar çmimin. Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, afro 1/3 e pronave në 5-vjeçarin e fundit po blihet nga të huajit.

Interesi i të huajve për pasuri të paluajtshme në Shqipëri, tregohet edhe nga shifrat e investimeve direkte, pasi në gjashtëmujorin e parë të vitit një në katër investime të huaja në Shqipëri shkon në sektorin e pasurive të paluajtshme.

E përkthyer në vlerë janë 181 milionë euro të shpenzuara nga të huajt për të blerë prona në Shqipëri e kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat kryesore të qendrës së Tiranës, ku një metër katror ka kaluar 4000 euro.

Sa i takon pritshmërive për çmimet e apartamenteve në vijim, sipas Bankës së Shqipërisë 71% e agjentëve presin që çmimet të jenë në këtë nivel, dhe 26% presin rritje të fortë.

TRANSAKSIONET E PASURIVE TË PALUAJTSHME:
Janar-Qershor 2023             55,713 mln lekë
Janar- Qershor 2024            58,483 mln lekë
Diferenca                            +2,770 mln lekë
INVESTIMET NË PASURI TË PALUAJTSHME
Janar-Qershor 2023         127 mln euro
Janar-Qershor 2024         181 mln euro
Rritja                               +54 mln euro

A.Q//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ina: 14/10/2024 10:08

    Apartamentet ne Shqiperi jane pa standarte europiane, cmimet me shtrejte se ne Paris, pa siguri(ngel ne ashencor) dhe pa dokumentacion te sakte. Keshtu qe ato te huajt qe i blejne, mos i kane leket teper dhe duan ti harxhojne kot (megjithese kjo eshte parrulle e qeverise dhe lali Erit qe gjoja te huajt blejne pronat ne Shqiperi dhe per kete arsye jane rrit cmimet e apartamenteve).

    Përgjigju
  • Plaku: 13/10/2024 21:57

    Shpresoj që qeveria ta shohi fenomenin e apartamenteve që blehen nga të huajt që nuk janë të barabartë ekonomikisht me shqiptarët dhe kështu penalizohen të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për një apartament

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?