Tre pikë për kornizë, Lu-La nderojnë Interin! Debuton edhe Asllani, sonte Atalanta-Milan në Seria A (VIDEO)

21 Gusht 2022, 11:47| Përditesimi: 21 Gusht 2022, 14:09

  • Share

Tre gola për tre pikë. Kështu ka vepruar Interi në ndeshjen e dytë të Seria A që u luajt në ‘Guisepe Meazza’ kundër Spezia-s në praninë e 71 mijë tifozëve. Zikaltërit kandidatë për titullin dominuan nga pjesa e parë një ndeshje që përfundoi me rezultatin 3-0, por që u zhbllokua në minutën e 35 nga Martinez.

‘Ylli’ i sulmit të Interit mori një asist nga Lukaku, duke rikthyer edhe një herë kohët e vjetra me një supergol. Më pas në pjesën e dytë ishte Calhanoglu që dyfishoi, ndërsa në vijim Tuccu Correa vulosi shifrat përfundimtare të sfidës, duke finalizuar një aksion model të nisur nga Gagliardini.

Në këtë përballje debutoi zyrtarisht me Interin edhe Kristjan Asllani, mesfushori i kombëtares shqiptare i ardhur nga Empoli në total për 16 milionë euro. 20-vjeçari hyri si zëvendësues në minutën e 84, duke marrë vendin e Brozovic.

Sakaq Lazio pas fitores në ndeshjen e parë nuk ka shkuar më shumë se një barazim 0-0 në të dytën kundër Torinos. Ndërkohë sonte kampionët në fuqi të Seria A, Milan, kanë një transfertë të vështirë në orën 20:45 në Bergamo kundër Atalanta-s. ‘Djalli’ synon fitoren e dytë radhazi pasi fillimisht likuidoi 4-2 Udinese-n një javë më parë.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?