‘Tingujt e kujtesës’, koncert klasik në Mirditë! Përkujtohen viktimat e komunizmit, 51-vjetori i revoltës së Spaçit

3 Qershor, 13:05| Përditesimi: 3 Qershor, 13:53

  • Share

“Muzika është si e vërteta, të bën të lirë”!  Me këtë motiv nën tingujt e muzikës klasike u përkujtuan të gjithë ata që luftuan për lirinë gjatë diktaturës komuniste. Koncertit memorial “Tingujt e kujtesës” u mbajt në Pallatin e Kulturës Rrëshen, në përkujtim të 51-vjetorit të Revoltës së Spaçit, organizuar nga Fondacionet “Kujto” dhe “Konrad Adenauer” në bashkëpunim me Bashkinë e Mirditës. Koncerti erdhi si homazh për artistët e përndjekur, poetët dhe viktimat e diktaturës komuniste.

Pjesët e zgjedhura muzikore u interpretuan nga artistët e “Musica Nova Quartet” nën drejtimin e dirigjentit Harlen Nikolli, solistes nga Kosova, Anita Kërhani dhe ish- të dënuarit politik, Tomi Kondakçi.

Këtë vit, kur shënohet 75-vjetori i masakrës së Qafës së Valmirit, u nderuan dhe kujtimi i 14 mirditorëve të ekzekutuar pa faj në atë masakër.  Po ashtu përmes një kënge të dedikuar asaj u nderua Marie Tuci, gruaja e vetme mes 38 martirëve të Kishës Katolike të Shqipërisë.

Drejtori i fondacionit Konrad-Adenauer- Stiftung Albania, dr.Thomas Kunze foli mbi rëndësinë që ka kujtesa e së shkuarës nëpërmjet aktiviteteve të tilla dhe përcjelljen tek brezin i ri të vërtetën e regjimeve totalitare në mënyrë që ato të mos përsëriten.

Ndërsa Kryetari i Bashkisë Mirditë Albert Mëlyshi apeloi që burgu i Spaçit të kthehet në muze dhe ky muze duhet të bëhet në vendin e vuajtjes së dënimit të mijëra të burgosurve politikës të kohës.

 

 

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?