PD kërkon zgjatjen e hetimit për komisionin 'TIMS': Të thërrasim edhe Ramën! Salianji: Të dhëna të llahtarshme

15 Korrik, 10:26| Përditesimi: 15 Korrik, 14:17

  • Share

TIRANË- Partia Demokratike kërkon zgjatjen e hetimit për komisionin hetimor të TIMS. Në mbledhjen e sotme, u mor dëshmia e fundit e Dorian Tolës, ish-drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.

Pas marrjes së kësaj dëshmie, ishte deputeti i PD, Asllan Dogjani që kërkoi zgjatjen e afateve të hetimit, duke thënë se nuk i kanë shkuar deri në fund dhe se sipas tij duhet të vijë të dëshmojë edhe Kryeministri Rama.

Të njëjtën kërkesë e përsëriti edhe kryetari i komisionit, Ervin Salianji, i cili u shpreh se nga dëshmitë kanë dalë të dhëna të llahtarshme dhe duhet të hetohen edhe persona të tjerë.  

Dogjani: Ta zgjasim afatin e hetimit dhe të na jepet mundësia për të thirrur Ramën, të vijë të na tregojë për deklaratat publike që ka bërë lidhur me ndërhyrjen në TIMS, ish ministrin e brendshëm, por ka edhe shumë dëshmitarë të tjerë që nga hetimi na ka rezultuar se ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ne kemi kërkuar të hetojmë jo vetëm 2 gushtin, por edhe raste të tjera kur janë bërë publike të dhënat e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të ndalohemi dhe ta mbyllim këtu hetimin në një kohë që problemet që kanë dalë janë shumë të mëdha dhe fakti që në vendin tonë asnjë nuk është i sigurt.

Salianji: Kanë dalë të dhëna të llahtarshme që duhen të hetohen dhe persona që s’duhet të shmangen nga hetimi që ju ka dalë emri gjatë dëshmive. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë kanë qenë kontradiktore, për këtë arsye duhej të kishim thirrjen e dëshmitarëve të tjerë.

Nga ana tjetër, përfaqësusit e mazhorancës kërkuan t'i përmbahen në mënyrë rigoroze ligjit dhe mandatit të caktuar nga Kuvendi. Kërkesa e deputetëve të PS për të deklaruar përfundimin e hetimit parlamentar për këtë çështje.

Në mbledhjen e radhës pritet të diskutohen kërkesat e Partisë Demokratike, ndërsa mazhoranca do të përsërisë kërkesën për mbylljen e hetimeve. 

Nëse socialistët do e rrëzojnë zgjatjen e hetimit, dy partitë duhet të kenë gati raportet, ndërsa mandati i komisionit mbaron në muajin korrik bashkë me këtë sesion punimesh të Kuvendit.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?