Kombëtarja

Tetori kuqezi/ Ekipet kombëtare me misione të rëndësishme (Kalendari)

1 Tetor, 09:38| Përditesimi: 1 Tetor, 09:44

  • Share

Tetori është një muaj shumë i rëndësishëm për Shqipërinë e futbollit. Thuajse të gjitha ekipet tona kombëtare, djem e vajza do të zbresin në fushën e lojës për të zhvilluar ndeshje shumë të rëndësishme.

Trajneri Sylvinho dhe trajneri Armir Grima do të drejtojnë ekipet e tyre kombëtare në sfida vendimtare dhe të rëndësishme për fatet e skuadrave në kompeticionet respektive. Shqipëria e Sylvinhos do të luajë dy takime të rëndësishme në transfertë ndaj Çekisë (11 tetor, ora 20:45) dhe tre ditë më vonë ndaj Gjeogjisë (14 tetor, ora 18:00), të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Sakaq, Shqipëria e vajzave, e drejtuar nga trajneri Armir Grima do të luajë dy ndeshje të rëndësishme ndaj Norvegjisë më 25 tetor (Loro Boriçi, ora 16:00) dhe 29 tetor (Ullevaal Stadion, ora 19:00). Këto sfida do të luhen në kuadër të raundit të parë të play-off-it, të vlefshme për Kampionatin Europian për vajza “Zvicër 2025”. Nëse Shqipëria kalon me sukses këtë raund, në fazën e dytë do të përballet me fituesen e çiftit Kroaci - Irlandë e Veriut.

Në fushë këtë muaj do të zbresin edhe ekipet kombëtare të moshave. Sfidat më të rëndësishme sigurisht do t’i kenë ekipet kombëtare të moshave U-17 për djem e vajza, që do të luajnë ndeshjet e raundit të parë kualifikues për Kampionatet Europiane respektive. Kombëtarja U-17 e drejtuar nga Andrea Tedesco, e kualifikuar direkt në finalet e Kampionatit Europian “Shqipëri 2025” do të luajë ndeshjet e raundit të parë në datat 9, 12 dhe 15 tetor ndaj Kroacisë, Hollandës dhe Ishujve Faroe. Të gjitha këto sfida do të luhen në Shqipëri.

Edhe raundi i parë i kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17 për vajza do të zhvillohet në vendin tonë në datat 30 tetor – 5 nëntor. Shqipëria e drejtuar nga trajnerja Cyme Lulaj do të përballet me Kosovën (30 tetor) dhe Izraelin (5 nëntor).

Ekipi kombëtar U-21 do të luajë ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Europianit U-21, ndaj Armenisë në “Air Albania” më 15 tetor, në ora 18:00. Kjo është sfida e fundit e ekipit Shpresa në këto kualifikuese të Europianit.

Ndërkaq, ekipi kombëtar U-19 do të luajë dy sfida miqësore ndaj Malit të Zi më 11 tetor në Podgoricë dhe 13 tetor në “Reshit Rusi” në Shkodër. Këto do të jenë edhe dy testet e fundit të skuadrës së drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj përpara sfidave zyrtare të kualifikueseve të Europianit për këtë grupmoshë.

Ekipi kombëtar U-15 për vajza do të luajë dy sfidat e radhës të turneut “UEFA Development” ndaj Estonisë (2 tetor) dhe Maqedonisë së Veriut (5 tetor) ndërsa edhe kombëtarja U-15 për djem do të marrë pjesë në një turne të njëjtë ku do të përballet me Bosnje - Hercegovinën, San Marinon dhe Ishujt Faroe. Ky turne do të zhvillohet në vendin tonë në datat 20-28 tetor.

Ndeshjet e Kombëtareve

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?