SPECIALE/ Një udhëtim i shkurtër në tokën e rojtarëve të shqiptarisë! Drejt Mirditës turistike dhe historike

31 Maj, 20:45| Përditesimi: 1 Qershor, 20:20

  • Share

Mirdita ka ruajtur dhe kultivuar pasuritë dhe vetitë më të mira të traditës së maleve shqiptare siç janë besa, burrëria, trimëria, mikpritja dhe atdhetaria. Dëshmitë arkeologjike janë pikë referimi për gjithë zhvillimin historik të vendit.

Kanë thënë për Mirditën e mirditorët…

“Mirdita është një « botë » aq e çuditshme në Evropë sa që meriton të studiohet me kujdes. Është krejt e pavarur dhe e ka mbrojtur këtë mëvehtësi shekuj me radhë. Po të më dëgjohej fjala, me gëzim do të flisja mirë për këta bij të shqipes… “ 

Arthur William Moore (1853-1909 gazetar, historian, gjuhëtar, folklorist anglez)

“Në këngët shqiptare kur vajtohet një betejë e humbur, heronjtë e rënë, për pushtimin e pësuar ia vënë fajin mungesës së mirditorëve në radhët e tyre”.

Alexandre Degrand (1844-1911, konsull i Francës në Shkodër (1893-1899)

“Paqja e fjala në Mirditë nuk blihen me para…”.

Karl Steinmetz (eksplorues dhe shkrimtar udhëtimesh, austro-hungarez, inxhinier me profesion, që udhëtoi në Shqipëri në vitet 1903-1905)

"Mirditorët janë spartanët e Shqipërisë"

Faik Konica

 “Mirdita përbën një minierë të artë të vlerave kulturore e gjuhësore… Mirdita ka luajtur në fushat e kulturës, që kur ishte pjesë qendrore e shtetit të parë të Arbrit… Asohere ajo ndërtonte kisha që ishin qendra kulture”.

Dhimitër Shuteriqi

“Në historinë e Shqipërisë, me fuqitë e Mëdha perëndimore, kemi periudha të tëra ku emri Mirditë është shumë më i përmendur se emri Shqipëri”.

Aurel Plasari

Këto janë vetëm disa nga përshkrimet e studiueseve të huaj e vendas në periudha të ndryshme që bashkohen në një pikë:

Mirdita ka ruajtur dhe kultivuar pasuritë dhe vetitë më të mira të traditës së maleve shqiptare siç janë besa, burrëria, trimëria, mikpritja dhe atdhetaria. Dëshmitë arkeologjike janë pikë referimi për gjithë zhvillimin historik të vendit.

Rrethi i Mirditës ndodhet në zonën Veriore - Qendrore të Republikës së Shqipërisë, 75 km larg Tiranës e 45 km nga Aeroporti. E përshkuar mes përmes nga Rruga e Kombit ajo është lehtësisht e aksesueshme.

Infokulla

Një pikë referimi për udhëtarët që duan të vizitojnë Mirditën është Infokulla, e vendosur në anë të Rrugës së Kombit.

Instalime të ndryshme, fotografi dhe ekspozita etno-historike prezantojnë një pamje tërë përfshirëse të rëndësisë së veçantë për rajonin.

Një koleksion i pasur etnografik, i mbledhur falë kontributit të etnologes dhe humanistes Marianne Graf, ekspozohet dhe luan rolin e një muzeu të vogël, të vlefshëm për çdo person që dëshiron të njihet me kulturën dhe historinë e Mirditës.

Mirdita është krahinë e rëndësishme etno-gjeografike me një trashëgimi shumë të pasur historike dhe kulturore, arkeologjike, etnografike, folklorike etj. Gjithashtu natyra e Mirditës ofron mundësi të shumta për të apasionuarit pas turizmit malor, aventurës, speleologjik. Por le të ndalemi tek disa prej tyre.

Fshati Domgjoni

Ajër i pastër, ujë i freskët dhe lule shumëngjyrëshe, këto janë pamjet mahnitëse që të ofron peizazhi natyrorë sapo futesh në fshatin Domgjoni në Fan të Mirditës.

Gryka, male, kisha, gurra shekullore, po ashtu tërheqin vëmendjen e vizitorëve vendas, por edhe atyre të huaj, që e kanë bërë turizmin malor në Mirditë të rritet nga viti në vit.

Domgjoni ndodhet vetëm 6 km larg rrugës së kombit, fshat i cili shtrihet në një luginë të rrethuar nga male, i pasur me histori, traditë dhe padyshim bukuri natyrore.

"Unë vij nga Gjermania dhe Shqipëria më pëlqen shumë. Po na pëlqen shumë natyre këtu dhe historia që ka kjo zonë, me kishën, por dhe gurrën shekullore. Do ju sugjeroj dhe miqve të mi që të vinë këtu se vërtet ja vlen",-tha një turiste gjermane.

Zef Marku që shërben si guidë turistike, na tregon disa prej pikave më të vizituara të fshatit Domgjon. Gurra shekullore e Domgjonit, monument kulture është ndër më të vizituarat. Ujësjellësi i vendbanimit të fortifikuar që në traditën vendase njihet si “Qyteza e Domgjonit” nis në malin e Munellës ku uji pasi mblidhet prej një prite të vogël përcillet në një kanal nëntokësor. Në mesin e ujësjellësit gjendej pusi i kontrollit, në të cilin të fut nga sipër një portë e vogël. Pusi cilindrik, 12 m i thellë dhe 2.5 m i gjërë është punuar me muraturë guri. Një palë shkallë helikoidale të shpien në pusetën në taban, nëpërmjet së cilës kalohej në brendi të kanalit të ujësjellësit të punuar po me muraturë guri.

Ky fshat i veçantë në rrethin e Mirditës njihet edhe si vendlindja e figurave të njohura historike mes të cilëvë Patër Gjergj Fishta, i cili ka shkruar vargje për vendin e origjinës së tij.

Falmeshndet Ora e Mirditës,

Falmeshndet un u kam cue,

Qi nper gurra të Mundellës

Më shkon vera tue u freskue;

Se ne` Lulet na çojn fjalë,

Në log t` tyne na me dalë;

Se ato zgjedhë paskan Mbretneshen

Në log t` blerët t`Lulevet t`njoma:

Qi,me gzim e me hare`,

Me i urue Mbretneshes s`re`

Jetë e shndet,e qi fatlume

P`rherë t` sundojë m`Mbretni` t`lulzueme.

(Gjergj Fishta:-“Jerina Ase Mretnesha e Luleve”)

Sot trojet e vjetra ruhen nga pasardhësit e tij dhe janë një destinacion i kërkuar nga vizitorët.

Jo vetëm Domgjoni por e gjithë Mirdita në tërësi po orientohet drejt turizmit malor.

KISHA E RUBIKUT

Duke udhëtuar në Rrugën e Kombit, sapo lë pas Urën e Zogut, turistët vendas e të huaj do të mbërrijnë në Rubik. Kjo qytezë identifikohet me kishën e Shëlbuemit, monument kulture i kategorisë së parë, me vlera të jashtëzakonshme historike, rikonstruktuar kohët e fundit. Objekti i kultit lartësohet prej shekujsh mbi një shkëmb të bardhë monumental, duke ofruar një panoramë të rrallë me luginën e Fanit dhe malet përreth.

Arkitektura e kishës 900 vjeçare të Shëlbuemit, absida dhe afresket e stilit bizantin dëshmojnë qytetërimin e hershëm, që shkon deri në fillimet e mijëvjeçarit të dytë,

Mirdita njihet për numrin e madh të kishave të shpërndara në territorin e saj, rreth 200 të tilla. Një pjesë e mirë e tyre, janë rikonstruktuar dhe vazhdojnë të kryejnë funksionin primar disa prej të cilave janë: Kisha e Oroshit ose Kisha e Shën Llezhdrit, Kisha e Ndërfanës (Shën Mërisë) në Gziq ku u krijua Principata e Arbrit. Emblema e shtetit të Arbrit gjetur në kishën e Ndërfanës,-sot është emblema e krahinës së Mirditës.

Udhëtimi vazhdon duke lënë pas kishën e Rubikut drejt një fshati të vogël piktores.

FSHATI KATUND I VJETËR

Vetëm 6 km larg rrugës së kombit, ndodhet fshati Katund i Vjetër në Mirditë, një nga destinacionet turistike që ka njohur zhvillim gjatë viteve të fundit. Natyra, prodhimet lokale dhe banoret punëtore e mikpritës, e kanë kthyer këtë zonë mjaft tërheqëse për vendasit e të huajt. Rritja e temperaturave ka shtuar numrin e turisteve të cilët vinë nga vende të ndryshme të botës. Ata vlerësojnë bukuritë e kësaj zonë dhe mikpritjen e vendasve.

"Unë kam ardhur nga Holanda, bashkë me familjen për të kaluar ca ditë pushime këtu. Këtë vend e kemi gjetur në internet dhe po na pëlqen shumë. Natyre është e mrekullueshme. Ke mundësi të ecësh në natyre. Unë dua të vlerësoj dhe mikpritjen këtu. Njerëzit janë shumë miqësor dhe të dashur. Këto ditë që po kaloj këtu janë fantastike dhe është e sigurte që do të rikthehem sërish", tha një turist.

"Unë sot erdha këtu dhe po më pëlqen shumë. është qetësi ajër i pastër dhe një natyre e mrekullueshme. Ja vlen që të kalosh disa ditë këtu në Katund të Vjetër, pasi qenka një vend i mrekullueshëm. Do ju sugjeroja dhe miqve të mi të vinë këtu, pasi dhe njerëzit janë shumë mikpritës. Krahas bukurive edhe ushqimi është shumë i shijshëm. Unë kam shëtitur në shumë vende të botes, por zona si kjo nuk ka arritur të shoh dhe ta shijoj kaq shumë”, tha një tjetër.

Resurset natyrore i kanë shfrytëzuar më së miri banorët e Katundit të Vjetër duke ngritur bujtina e restorante të cilët janë mjaft të frekuentuara. Teksa thonë e numri i turisteve është gjithnjë në rritje, vendasit kërkojnë më shumë investime në infrastrukture dhe rrjetin elektrik.

“Katundi i vjetër është i preferuar nga vende të ulëta. Janë të interesuar për natyrën. Kërkojnë dhe të shohin të kaluarën tonë, jetesën tonë dhe të kenë kontakt për njerëzit”, tha Bajron Nikolli, operator turistik.

E pasur me bukuri natyrore, kulture, histori dhe gastronomi turizmi në Mirditë po njoh gjithnjë e më shumë zhvillim dhe këtë e dëshmon dhe numri turisteve i cili është gjithnjë në rritje.

Të tjera pika turistike që ia vlen të vizitohen janë: Bjeshkët e Oroshit, apo ish-Burgu i Spaçit.  Kudo gjatë eksplorimit të Mirditës do të gjeni vendbanime të lashta, shtigje aventureske, shtëpi pritëse, kulla karakteristike, kishat shekullore që identifikojnë këtë zonë e mbi të gjitha zemrën e mirditorëve që ruajnë me fanatizëm traditat e shqiptarëve të hershëm.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?