SPECIALE/ Blini i Gurit t’Lekës, Tajlanda shqiptare! Malet e larta, ujëra të kristaltë, trofta lumi, Zipline dhe legjendat që i zbulon në Luginën e Shalës

20 Korrik, 13:07| Përditesimi: 20 Korrik, 13:33

  • Share

Është një mrekulli të shikosh oazin ku Shala përqafohet me liqenin i Komanit. Ka gati 10 vjet që është bërë pika më e frekuentuar në veriun e Shqipërisë. I thonë edhe “Blini i Gurit t’Lekës” dhe ky duhet të jetë emërtimi i saktë sipas Prof.As.Dr Zef Gjeta, pasi aty prijësi i Dukagjinit, Leka, banor i zonës, ka mbyllur vitet e fundit të jetës.

Është një mrekulli të shikosh oazin ku Shala përqafohet me liqenin i Komanit. Ka gati 10 vjet që është bërë pika më e frekuentuar në veriun e Shqipërisë. I thonë dhe “Blini i Gurit t’Lekës”, sepse aty sipas Prof.As.Dr Zef Gjeta, prijësi i Dukagjinit, Leka, banor i zonës ka mbyllur vitet e fundit të jetës së tij.

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve shqiptare. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron aventurierëve një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët.

Rruga për të shkuar deri në këtë panoramë të mrekullueshme është disi e gjatë, por jo e lodhshme, pasi është e larmishme. Vizitohet kryesisht nga turistë vendas dhe të huaj me shumë polakë e shqiptarë të Kosovës.

Vizitorët nga Kosova kalojnë përmes pikës së kalimit kufitar Qafë-Morinë dhe pas 2 orë udhëtim në rrugë të asfaltuar mbërrijnë në Fierzë në pikën e nisjes së trageteve dhe varkave në liqenin e Komanit 38 kilometra vijë ujore.

Vizitorët e Tiranës  e qytetet e tjera të vendit pas dy orë udhëtim në rrugë të asfaltuar mbërrijnë në Vaun e Dejës dhe prej këtu duhet dhe një orë tjetër në rrugë të pashtruar për në pikën e nisjes së trageteve dhe varkave në liqenin e Komanit.

Lundrimi me varkë zgjatë një orë e tridhjetë minuta. Gjatë gjithë kohës do t’ju shoqërojnë pamjet dhe ngjyrat e shumta të liqenit.

Liqeni i Komanit që ushqehet nga lumenjtë Shala dhe Valbona shtrihet nga fshati Koman gjatë gjithë rrugës deri në fshatin Fierzë. Ky  liqen është shtëpia e 13 specieve të ndryshme të peshkut dhe amfibëve. Koha më e mirë për të vizituar këtë zonë dhe për të përjetuar një udhëtim magjik “mes legjendave dhe Zanave e shpellës së pëllumbave” është në verë. Por kujdes, zhytja në liqen ndërsa trageti e varka janë në lëvizje është rreptësisht e ndaluar.

Bëjmë një ndalesë të shkurtër në shpellën e Pëllumbasve. E ka marrë këtë emër nga pëllumbat e egër që e përdorin si banesën e tyre. Edhe gjatë kësaj vizite gjejmë disa prej tyre aty.

Të tjera shpella në Shalë është ajo e Kaurit mbi të cilën gjendet një kryq. Por edhe ishulli i paqes i cili sipas gojëdhënave e ka marrë këtë emër sepse në këtë ishull historitë e familjeve në gjak përfundonin në marrëveshje për paqe.

Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore dhe po tërheq një vëmendje të veçantë, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron. Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës. Aty ka dhe një plazh të vogël ku mund të bësh dhe banjo dielli rrethuar nga majat e larta, për të cilat vendasit tregojnë legjenda mesjetare.

Temperatura e ujit të lumit është 12-13 gradë celcius. Këshillohet që fillimisht duhet të hyni deri sa uji të jetë pak mbi gju, të qëndroni 10 deri në 15 minuta, kohë e mjaftueshme që trupi të familjarizohet me ujin e ftohtë.

Dhe pas disa orëve shëtitje në ujërat e kthjellëta, plazh në zhavorrin lumor dhe një dreke të shijshme në qetësinë e natyrës së gjelbër, vizitorët i hipin sërish varkave të vogla për të provuar rrugën e kthimit, e cila gjarpëron nëpër liqenin e Komanit.

Varkat që ju transportojnë drejt lumit, ju presin 4-5 orë, kohë e mjaftueshme për të eksploruar zonën. Ndërsa më të guximshmit mund të provojnë adrenalinën e Zipline Lumi i Shalës.

Gjatë muajve korrik dhe gusht, vizitohet nga afro 2 mijë deri në 3 mijë turistë kryesisht ditorë pasi numri i shtretërve është i limituar, rreth 250 shtretër.

Ky numër tejkalon jo rrallë herë edhe kapacitetin e shërbimit në restorante.

Ata që zgjedhin Lumin e Shalës në listën e përshtypjeve vendosin bukuritë e natyrës.

Megjithatë kërkojnë që të mos anashkalohen edhe problemet që kanë të bëjnë kryesisht me pastrimin dhe infrastrukturën.

Lumi i Shalës Ka një gjatësi prej 37 km nga burimi në majën e Radohinës e deri në Dri, buron tek kroi i Shtrazës në krye të fshatit Theth, në rrëzë të majës së Radohinës, nga ku zbret poshtë nëpër luginë të Shalës, nga Thethi, Ndërlysa e Musha, nga Breg-Lumi tek Porta e Shalës (Gryka e Rrshqëmit), nëpër Lotaj e në luginën e Shoshit, derisa derdhja e tij shkon në Lesniqe në Dri (sot liqeni Koman).

Është lumë malor me rënie mesatare 22 metra në një kilometër. Lumi Shala dallohet me ujin e tij të kristaltë, me prurje mesatare vjetore afro 34 m³/sek. Prurjet maksimale arrijnë në nëntor me 52m3/sek, ndërsa prurje minimale në gusht në të cilin arrin 9m³/sek. Lumi i Shalës është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më i përhapuri është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla.

Kjo perlë e fshehtë e konsideruar edhe si “Tajlanda shqiptare’’ duhet patjetër t’i shtohet listës tuaj për ta vizituar së paku një herë në jetë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Fiton Trump, mendoni se do ndryshojë politika amerikane ndaj Shqipërisë?