SPECIALE/ Adriana Puleshi, artistja e erosit poetik në tablo, një rrëfim për sekretin e ngjyrave

27 Prill 2022, 22:10| Përditesimi: 27 Prill 2022, 22:14

  • Share

Ritmi i jetës së saj është  i varur nga vallëzimi në fantazi i ngjyrave.  Jeta e saj në tablo është e gjitha një errupsion poetiko-erotik.

Peizazhet, lulet, ujërat, nudot, janë një kozmos që duket sikur ngjizet në ngjyra erotike. Ky lexim dhe joshje nga arti i saj, nuk është një qëllim në vetvete. Arti kapërcen edhe vetë karakterin e artistes.

Piktorja e talentuar Adriana Puleshi është një piktore poete, dhe për pikturën e saj duhet të flasësh po me gjuhën e poetit.

Ajo është  energjike dhe ekspresive në sjelljen e saj dhe në bisedat me rrethet miqësore, por e kursyer në fjalë, kur do ta pyesësh për krijimtarinë e saj.

Fjalët e piktores Adriana Puleshi trazohen me ngjyrat, dhe të shtyjnë që të merresh jo me atë vetë, por drejtpërdrejt me tablotë kur je pranë saj. Zakonisht piktorja përhumbet në një heshtje respekti për gjithkënd që shijon artin e saj. Nuk e trazon shikimin e artdashësit, nuk e komenton, e lë të lire. Është nga të rrallat që nuk thotë kurrë një fjalë tunduese për blerësin e pikturës.

Është mënyra e saj më e bukur e ekzistencës si artiste.

 Adriana Puleshi, metaforën e përqendron posaçërisht në ngjyrë. Vërtetë tabloja e saj zhurmon nga ngjyrat, nga dritat, nga misteret, nga ngjarjet.

Piktores të gjithë i thërrasin Adi.  Adi Puleshi është edhe emri i saj i artit. Një emër në harmoni me karizmën e saj sociale.  

Është ajo vajza e veçantë në ecje, në veshje, në sjellje. Duket natyrë sportive, e zonja për të marrë veten në dorë, por kush e njeh nga afër i bie të vërej herë pas here një përskuqje të fshehtë të një vajze të turpshme. Vetëm piktura e bën atë të shfaqet tejet e  guximshme. Punët e Adi Puleshit i vëzhgon pareshtur dhe orvatesh t’i prekësh me një interpretim personal.

Ajo ka qenë dhe është e bindur që nuk mund të bëjë asgjë tjetër veç pikturës.

Që në fillim Adi Puleshi krijoi një stil të sajin dhe kritikët e artit nuk e kanë të vështirë mes shumë të tjerëve që të shquajnë pikturën e saj. Ciklet e krijimtarisë së Adi Puleshit janë plotë tematika, ku lëvrojnë emocionet më të fshehura romantike. Adi Puleshi është një zë i veçantë në zhvillimet e artit modern shqiptar. Është nga piktoret më me energji që gjen sot në treg. Në tablot e saj ka patos, muzikë, shqisë, zë, aksion dhe dashuri. Ajo është aq diellore.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?